“Shqiptarët nuk janë trima, nuk kanë qejf të vdesin, sa më larg frontit aq më të çartur janë” - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    “Shqiptarët nuk janë trima, nuk kanë qejf të vdesin, sa më larg frontit aq më të çartur janë”

    Insajderi
    30 September 2023 - 22:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Ermal Mulosmani

    Kosova e ka pasë një kohë për luftë

    Kosova e vitit 98-99 ka qenë në prag të zhdukjes. Varfëria dhe prapambetja ishte e skajshme, liritë dhe të drejtat elementare në nivele skllavërie.

    Kosovarët e vitit 99 i mbijetuan genocidit serb duke lëshuar trojet e veta si në ditën e kiametit. Vrasje, poshtërime, përdhunime dhe mbi një milion njërëz të shpërngulur. Shqiptarët e Kosovës së 99’-ës u trajtuan si nën-njerëz, një kategori tranzitore mes kafshëve dhe njerëzve. Ata nuk kishin se çka të humbisnin, as para, as katandi e as dinjitet. Kosova e 99-ës ishte në limit të ekzistencës fizike. Jeta e shqiptarëve të asaj kohe ishte peng i instikteve të shfrenuara të paraushtarakëve serbë. Më larg se aq nuk mund të shkojë shtypja.

    E, megjithatë, shqiptarët preferuan në masë të madhe të lëshonin tokën e tyre sesa të vdisnin duke luftuar për të drejtat e tyre. U strehuan në Shqipëri, Maqedoni, Evropë e Amerikë, ku të mundnin.

    Prej andej përcillnin me interes bombardimet e Nato-s mbi Beograd e Prishtinë. Ata që nuk ikën nga vendi e as nuk luftuan nëpër male panë ferrin e vërtetë me sy…

    E, veç më pak se 1% e popullsisë së Kosovës, zgjodhi të luftonte për liri e dinjitet.

    Atëherë ishte koha për luftë. Kosovarët zgjodhën të mbijetonin rrugëve të botës. Për ta luftonin Amerikanët dhe Nato. Nëse atyre ditëve Amerika i propozonte Kosovës një draft paqeje sipas së cilës Veriu i saj do t’i mbetej Serbisë, i sigurtë jam që 99% e popullit do të miratonte atë marrëveshje, liderët do e firmosnin me brohoritjet e turmave të poshtëruara nga një pushtues shekullor genocidist.

    Lot e përqafime mirënjohëse do të shpërthenin ndaj ushtarëve të Natos njësoj si në Qershorin e 99-ës. Askujt nuk do t’i binte në mendje për Leposaviqin apo Zverqanin e as për Trepçen e Mitrovicës. Ato do të ishin kompromisi për një liri që u erdhi si dhuratë nga Zoti.

    POr, po ata shqiptarë të Kosovës që puthnin ushtarët e Nato-s më 1999 sot flasin për të drejtat evropiane të tyre. Ata flasin për dinjitetin, sovranitetin, Kushtetutën e shtetit të Kosovës dhe ushtrimin e pushtetit në të gjithë territorin e saj.

    Në Prillin e vitit 1999 ata ndiqnin nga ekranet e Televizionit në kolltuqet e mikpritësve të tyre në Tiranë, Shkup, Lubljanë, Zurih a Stokholm sesi nga baza e Avianos niseshin avionët që bombardonin për 74 ditë me radhë objektet ushtarake të Beogradit. Me një gotë birrë përpara, duke komentuar me tifo dhe këndonin këngë heroike patriotike…Ajo ishte mënyra e tyre e të luftuarit.

    Shumë prej tyre mbetën “rrugëve” të botës edhe pas çlirimit të Kosovës…Prej andej sot bëjnë thirrje për rezistencë ndaj Serbisë (në thelb e kanë me Amerikën).

    Ekziston brenda njeriut një shtysë e pashpjegueshme për tu çliruar nga mirënjohja, për ta zvogëluar kontributin e mirëbërësit, për të gjetur kleçka sipas të cilave “mirëbërësi ka pasë interesat e veta” e banalitete të tilla. Pra: “Ne na u bo mirë ama Amerika për interesa të veta diçka e boni…”. Kjo është poshtërsia e mosmirënjohësit. Ose: “Nëse na kërkon ne t’i nënshtrohemi Serbisë më mirë të mos na kishte çliruar hiç”…

    Ehhh, e kanë harruar 99-ën. E kanë harruar frikën, tmerrin, vrasjet, përdhunimet, poshtërimet, e kanë harruar jetën nën xhelatin serb. I kanë harruar udhëtimet e vdekjes, varganin poshtërues të tmerrit të krahasueshëm me marshimin e vdekjes së hebrenjve në ditët e fundit të nazizmit. Kanë harruar orët e pafundme të natës së acartë ku Zoti kishte pamjen dhe uniformën e paramilitarit serb.

    Ne harrojmë shpejt. Ka pasë vetëm një kohë për të luftuar në Kosovë, ishte vitet 98 – 99. Atëkohë shqiptarët zgjodhën të ikin nga sytë këmbët, zgjodhën të jetojnë me çdo mënyrë.

    Sot pashë një foto të turpshme. Pashë hartën e Kosovës mbi të cilën shkruhej Ukrainë, një cep verior ku shkruhej Donbas dhe hartën e Serbisë ku shkruhej Rusi. Mungonte vetëm një foto e Kurtit i veshur si Zelenski.

    Qesharake!

    Me siguri ndonjë prej atyre kosovarëve të Evropës, i ulur në një laptop me pamje nga ndonjë kopsht romantik në sfond e pas ndonjë birre të ftohtë, e kishte konceptuar këtë idiotësi.

    Shqiptarët nuk janë trima, nuk kanë qejf të vdesin. As të Shqipërisë e as të Kosovës. Ata veç lëshojnë thirrje për luftë. Sa më larg frontit aq më të zëshëm e të çartur janë. Nëse nesër amerikanët nuk janë aty, fundi i Kosovës shtet nuk është i largët. Amerika është e vetmja garanci e sigurisë së Kosovës. Ata boll janë të mërzitur për sjelljen e kosovarëve por kanë mbetë peng i luftës së tyre. Ndoshta po kërkojnë një mënyrë për të heqë dorë nga ky peng. E atëherë nuk ka kthim mbrapa.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark