Pas ndryshimit të emrave, shqiptarët po martohen me shtetase të huaja, kryesisht në Angli dhe në Gjermani për të siguruar dokumentacionet e qëndrimit.
Fenomeni është përhapur masivisht vitet e fundit, aq sa avokati Kutim Ibraj, i ftuar në Zona Zero në Top News tha se në të po përfshihen edhe familjarë e me fëmijë që ndahen nga bashkëshortet e tyre në Shqipëri për t’u martuar “për letra” me të huaja në Gjermani e Angli.
Ai deklaron se vetëm këtë vit ka trajtuar rreth 50 divorce të tilla për efekte dokumentacionesh, ndërsa solli si shembull ekstrem rastin e martesës së një 25-vjeçari shqiptar me një 80-vjeçare gjermane për qëllime dokumentacioni.
“25 vjeç u martua me një 80-vjeçare. Dilte xhiro në Gjermani dhe ndonjëherë edhe në shqipëri me të, që t’i mbushte mendjen se e dashuronte. Për mua kjo përbën non sens nga ana njerëzore”, tha ai.
Avokati sqaroi se në Angli dhe Gjermani kërkohet që emigrantët që martohen me shtetase të këtij vendi të qëndrojnë 5 vite të martuar dhe më pas mund të kërkojnë ndarjen dhe të kenë siguruar edhe dokumentacionin për të qëndruar.
Shumica e këtyre martesave, tha Avokati Ibraj, bëhet kundrejt pagesave që shkojnë deri në 10 mijë euro.