×
  • Lajme
  • Insajderi

    Shqiptarët presin më shumë mirëqenie nga qeverisja e ardhshme, nuk pritet të ndikojë në raportet me Kosovën

    Insajderi
    25 April 2021 - 16:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Votuesit në Shqipëri po zgjedhin 140 përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, e rrjedhimisht edhe qeverinë e re e cila do të udhëheqë me vendin për katër vitet e ardhshme. Shqiptarët po presin më shumë mirëqenie e punësim, ndërsa pavarësish fituesit nuk pritet të ketë ndryshim në raport me Kosovën.

    Nolian Lole, kryeredaktor në RTSH 24, deklaroi për KosovaPress se këto zgjedhje janë të rëndësishme ndërsa përcaktojnë orientimin që do të marrë vendin. Sipas tij, ka një pritshmëri gati 30-vjeccare për t’i dhënë fund tranzicionit në Shqipëri.

    “Janë zgjedhje të rëndësishme sepse pas tetë vitesh qeverisje të majtë, shqiptarët do to të duhet të vendosin do të vazhdojnë në këtë drejtim apo do të bëjnë një kthesë të fortë dhe të votojnë të djathtën e cila mesa duket nëse do të duhet të jetë ajo qeverisja e ardhshme e Shqipërisë do të duhet të bëjë një koalicion me një parti të majtë siç është LSI me të cilën ka koalicionuar përpara 12 vjetësh. Kështu që janë zgjedhje vendimtare për shqiptarët, natyrisht pritshmëria kryesore është më shumë mirëqenie, më shumë punësim, më shumë të mira ekonomike, megjithatë ka edhe një pritshmëri të përtejme për t’i dhënë fund një tranzicioni 30-vjeçar dhe më në fund për të hyrë në atë rrugën evropiane të Shqipërisë që na pëlqen shpesh ta quajmë, ta citojmë, ta themi por ende nuk kemi hyrë”, u shpreh Lole.

    Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, që njëkohësish është edhe lideri i Partisë Socialiste, në këto zgjedhje garon kundër të gjitha subjekteve të tjera politike të cilat duan t’i japin fund qeverisjes së tij.

    Gazetari i ABC News Albania, Juxhin Mustafaraj, u shpreh se cilado qeveri që do të vijë në pushtet do të përqendrohet te rimëkëmbja ekonomike.

    “Në fakt është për t’u theksuar se për herë të parë një forcë politike ka të gjithë subjektet e tjera politike përballë. Në njërën anë është Partia Socialiste dhe çdo forcë tjetër është kundër saj dhe nuk ka asnjë aleancë prej forcave politike. Ndonëse kryeministri Rama është i bindur që në këto zgjedhje do t’ia dalë të marrë sërish besimin e qytetarëve shqiptarë. Ajo që pritet sigurisht është një rimëkëmbje e ekonomisë sepse ka pas dy goditje të mëdha siç ka qenë fillimisht tërmeti në 2019 dhe më pas pandemia COVID-19 e cila ka goditur ekonominë e gjithë botës por sidomos ekonominë e brishtë shqiptare. Pritet që kushdo nga subjektet politike që do të shpallet fituese të fokusohet tek ekonomia”, deklaroi Mustafaraj.

    Por, a pritet të ndikojë në raportet me Kosovën emri i fituesit të zgjedhjeve? Kryeredaktori i RTSH 24, Nolian Lole, shprehet se pavarësisht se kush ulet në kolltukun e kryeministrit nuk duhet që të ndryshojë asgjë në raport me Kosovën.

    “Nuk besoj dhe nuk pranoj ta besoj që nuk do të ketë asnjë lloj ndryshimi në raport me Kosovën. Kushdo që vjen në qeveri dhe kushdo që të jetë qeverisja e ardhshme e Shqipërisë për Kosovën nuk ndryshon asgjë”, u shpreh Lole për KosovaPress.

    Ndërsa, gazetari Mustafaraj mendon se raportet personale mes liderëve të të dyja vendeve shpeshherë ndikojnë edhe atyre mes dy qeverive.

    Sipas tij, pritshmëritë e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit janë që të ketë bashkëpunim me të madh mes të dy vendeve.

    “E kemi parë që nuk ka asnjë marrëdhënie miqësore midis kryeministrit Rama dhe kryeministrit Kurti dhe kjo marrëdhënie pritet që të reflektohet nëse kryeministri Rama do të marrë një mandat të tretë qeverisë ku në fakt të gjithë pritshmëritë e shqiptarëve të Shqipërisë dhe shqiptarëve të Kosovës që të kenë një bashkëpunim më të madh midis dy qeverive. Ndërkohë nga ana tjetër zoti Basha kryetar i opozitës në Shqipëri ka premtuar se një nga vendimet e para që do të marrë si kryeministër është heqja e traut, një premtim që është mirëpritur si nga shqiptarët e Shqipërisë por edhe të Kosovës”, tha Mustafaraj.

    Ndryshe, për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë 1841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra. Ndryshe nga Kosova që është një zonë zgjedhore, Shqipëria është e ndarë në 12 zona zgjedhore që përkojnë me ndarjen territoriale të qarqeve dhe në secilën prej këtyre zona është e përcaktuar një numër i caktuar mandatesh.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark