Një biznesmen shqiptar dhe ortak i një restoranti italian në Floridë, është mbajtur për dy vjet i burgosur pa një akuzë ndaj tij, raportojnë mediat amerikane. Gjykata e Floridës e ka liruar atë ditën e sotme
Gjovalin (Xho) Gjergji, 28 vjeç, u arrestua nga agjentët federalë në dhjetor të vitit 2014. Prej një viti e gjysmë ai ka luftuar për padrejtësinë që i është bërë nga shteti federal.
Kur u arrestua, nuk kishte asnjë akuzë federale ndaj tij dhe ai u dërgua në paraburgimin e emigrantëve pas një vendimi të Kongresit për burgosjen e emigrantëve që kishin shkelur ligjin.
Por, Gjovalini nuk ishte i panjohur për drejtësinë. Rreth 10 vjet më parë, kur ishte 18 vjeç, ai i kishte shitur një armë në mënyrë të paligjshme një personi me precedent penal. Ky i fundit u arrestua dhe arma u sekuestrua. Gjithashtu, u arrestua edhe Gjovalin Gjergji me arrest shtëpie për tri vjet.
Ai pranoi krimin në gjykatë dhe tha se nuk kishte dijeni që ishte shkelje ligji, pasi ishte i ri dhe i papjekur, njofton Panorama.al, transmeton Insajderi.
Por, kjo nuk mbaroi me kaq. Në vitin 2014, agjentët federalë të emigracionit e arrestuan Gjergjin, pasi sipas ligjeve në fuqi, ai duhej të ishte dëbuar. Mirëpo, gjatë kësaj kohe, Gjergji pati marrë edhe pasaportën amerikane, ndaj avokati pretendon se ligji nuk duhet të vepronte ndaj tij.
Edhe Gjykata e Floridës e mori parasysh apelin e avokatit dhe e liroi biznesmenin shqiptar. Megjithatë, autoritetet nuk janë bindur dhe do ta apelojnë vendimin.