
Gazeta Insajderi pak më parë raportoi se një qytetare, Dafina Krasniqi, kishte ngritur alarmin për gjendjen shëndetësore të 10-vjeçarit Elvis Hasani nga komuniteti ashkali, i cili më 10 gusht u godit nga një veturë në Bresje të Fushë Kosovës.
Ajo ka thënë se rasti nuk ka marrë vëmendjen e duhur as nga institucionet përgjegjëse, duke bërë thirrje për ndihmë.
E lidhur me këtë kanë reaguar nga SHSKUK, duke njoftuar se pacienti ka qenë gjatë gjithë kohës në mbikëqyrje.
10 vjeçari ka qenë në kujdesin intensiv pediatrik, si pasojë e gjendjes së rëndë shëndetësore. Ndërkohë thuhet se pas trajtimeve, pacienti është transferuar në Repartin e Neurologjisë Pediatrike me gjendje stabile.
Njoftimi i plotë:
Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, njofton opinionin publik lidhur me trajtimin e fëmijës E.H., i cili është pranuar më datë 10.08.2025 në Njësinë e Kujdesit Intensiv Pediatrik, pas transferimit nga Klinika Emergjente, me gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e politraumës.
Që nga pranimi, pacienti ka qenë nën mbikëqyrje të vazhdueshme të stafit mjekësor dhe infermieror, duke marrë trajtimin e nevojshëm sipas protokolleve mjekësore. Është realizuar përpunim laboratorik dhe imazherik, si dhe janë kryer konsultime të shumta multidisiplinare (neurokirurg, neurolog pediatrik, oftalmolog, fiziatër).
Pacienti ka marrë terapi antibiotike, antiepileptike, kortikoterapi, terapi fizikale dhe mbështetëse, ndërsa është ushqyer përmes sonde nazogastrike dhe është monitoruar vazhdimisht nga ekipi kujdestar.
Pas 17 ditësh qëndrimi në kujdes intensiv, më datë 27.08.2025 pacienti është transferuar në Repartin e Neurologjisë Pediatrike, me parametra vitalë stabilë, duke vazhduar trajtimin e nevojshëm dhe nën mbikëqyrje të plotë nga stafi shëndetësor.
Klinika e Pediatrisë njofton opinionin publik dhe familjarët se fëmijës nuk i ka munguar asnjëherë kujdesi mjekësor, dhe mbetet nën përkujdesjen e pandërprerë të profesionistëve shëndetësorë të QKUK-së.