Kompania private farmaceutike “Agani LTD”, e cila kishte qenë nën llupën e prokurorisë për përfitim të tenderëve milionësh në mënyrë të dyshimtë, së fundmi është gjobit nga Shërbimi Spitalor i Kosovës. Shkak për këtë u bë mos dërgimi me kohë i barnave për të cilat ishte kontraktuar nga ky institucion. Firma e biznesmenit të akuzuar për mashtrim, Armend Agani ishte favorizuar nga ish punëtori i tyre, që atë kohë udhëhiqte Ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia. Përmes tij, kjo kompani arrit të përfitoj tenderin për furnizime me produkte medicionale, në vlerë gjysmë milioni, shkruan Gazeta Insajderi.
Gazeta Insajderi, e ka siguruar listën e plotë të dënimeve që ShSKUK-ja ua ka shqiptuar kompanive që nuk kanë dërguar me kohë materialin për të cilin ishin kontraktuar. Në këtë listë figuron edhe kompania “Agani LTD”.
Shërbimi Spitalor Klinikë Universitar i Kosovës, gjatë këtij viti shqiptoi 24 gjoba ndaj kompanisë farmaceutike “Agani LTD”, për mos korrektësi në sjelljen e barnave.
Dënimi ndaj kësaj kompani kap vlerë e plot 4 mijë 038 eurove, për vonim në furnizim me barna, shkruan Gazeta Insajderi.
Në listën e fundit të gjobave të publikuara nga ShSKUK-ja, kompania ”Agani LTD” mësohet se ishte vonuar në sjelljen e ‘Nelaton Catheter’.
Ky medikament është esenciale që ShSKUK-ja do të duhej të ishte furnizuar me kohë. Kateteri Nelaton përdorët kryesisht në klinikën e Urologjisë, thotë Arianit Jakupit, kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës për Gazetën Insajderi.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje në kompaninë “Agani LTD” për të kuptuar se cila ka qenë arsyeja e vonesës së furnizimit me barna, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e lajmit.
Në fillimin e fazës së pandemisë në Kosovë, Gazeta Insajderi raporto për tenderët që implikonin Ministrinë e Shëndetësisë në procedura të dyshimta të prokurimit për disa kontrata të lidhura me firma private.
Përmes një serie shkrimesh, Insajderi ka dëshmuar se si përmes procedurave emergjente nga zyra e prokurimit të MSh-së, fituan kontrata të majme kompani të afërta me ish-ministrin Vitia e firma të mistershme, të cilat sipas të dhënave publike, gjatë asaj kohe kishin më pak se tre punëtorë të regjistruar.
Si kishte përfituar “Agani LTD” tender nga Ministria e Shëndetesisë?
Firma private farmaceutike “Agani Ltd”, në të cilën ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kishte punuar për tri vite, kishte marrë hise të konsiderueshme në një tender për furnizim emergjent me barna.
“Agani Ltd” është njëra nga tri firmat përfituese të tenderit të emërtuar: “Furnizim emergjent me produkte farmaceutike për Corona-virus”. Vlera e përgjithshme e kontratës është 439 mijë (439.900,00) eurove.
Më 10 prill të vitit 2020, kjo kompani private është përzgjedhur fituese e lotit 31 të tenderit, të vlefshëm 16 mijë (16.055,00) euro.
Sipas dosjes së tenderit, Ministria e Shëndetësisë ka blerë nga kompania “Agani Ltd”, 16.055 copë pilula “Morphina 20 mg 1 ml” në vlerë prej 16 mijë e 55 euro.
Ministria ka ndjekur procedurën tenderuese “të negociuar pa publikim të kontratës”. MSh-ja ka negociuar vetëm me kompaninë “Agani Ltd”, sado që ligji i prokurimit publik lejon që edhe në procedurat e mbyllura tenderuese të kontaktohen më shumë se një kompani private.
Por, në Ministrinë e Shëndetësisë patën thënë se vetëm një ndërmarrje private në Kosovë e ka të regjistruar produktin farmaceutik të morfinës.
“Sa i përket llotit për produktin ‘morfinë’, divizioni i prokurimit i MSH-së ka njoftuar se nuk ka pasur ofertë tjetër përveç të kompanisë ‘Agani’, i cili, sipas tyre, është operatori i vetëm që e ka të regjistruar këtë produkt farmaceutik në Kosovë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MSh-së për Insajderin.
Ministria po ashtu ka thënë për Insajderin atë kohë se ish-punëdhënësit e Arben Vitisë kanë qenë ofertuesit e vetëm për lotin 31 të kontratës, kur është pyetur mbi arsyet e përzgjedhjes së kësaj firme farmaceutike si fituese të lotit.
Lidhjet e Arben Vitisë me firmën “Agani Ltd”
Kompania “Agani Ltd” figuron në pronësi të Dugagjin, Don dhe Driton Aganit. Ajo e ka bazën në Komunën e Graçanicës dhe merret me tregtinë me pakicë e shumicë të artikujve farmaceutik.
Udhëheqës i “Agani Ltd”, sipas të dhënave që figurojnë në ARBK, është Dugagjin Agani.
Dugagjin Agani kishte mbajtur pozitën e zëvendësdrejtorit përgjatë periudhës 2004-2007, kur Arben Vitia kishte punuar në këtë firmë.
Insajderi ka gjetur se firma “Agani Ltd” i kishte dhënë përgjegjësi të mëdha Vitisë përgjatë viteve kur ishte i punësuar në kompani.
Ndonëse, në CV-në e tij Vitia ka deklaruar të ketë punuar në firmën “Agani Ltd” si këshilltar profesional i shitjes, një dokument të cilin e ka siguruar gazeta tregon se Vitia së bashku me Dugagjin Aganin, asokohe zëvendësdrejtorin e firmës, kishin qenë pjesë e bordit drejtues të “Agani Ltd”.
Sipas këtij dokumenti, Vitia kishte ushtruar funksionin e udhëheqësit të sektorit shëndetësor të firmës “Agani Ltd”. Kishte përfaqësuar këtë sektor si pjesë e bordit drejtues të ndërmarrjes.
Sipas tyre, ministri Vitia ka qenë i angazhuar vetëm si këshilltar profesional i shitjes në firmën “Agani Ltd”. Nuk kanë përmendur rolin që Vitia ka pasur në bordin drejtues të firmës.
Seria e shkrimeve të Gazetës Insajderi, rreth kompanive të gjobitura nga ShSKUK-ja