ShSKUK konfirmon mungesën e albuminës: Operatorët që vonuan barnat u gjobitën - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    ShSKUK konfirmon mungesën e albuminës: Operatorët që vonuan barnat u gjobitën

    Insajderi
    06 August 2025 - 19:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka reaguar lidhur me raportimet për mungesë të barnave, albuminës dhe materialeve shpenzuese në institucionet shëndetësore publike.

    Në reagimin zyrtar, ShSKUK konfirmon se furnizimi me antibiotikë ka qenë i vazhdueshëm dhe në rastet kur ka munguar një formë e caktuar farmaceutike, janë siguruar alternativa të barasvlershme për të garantuar trajtim të pandërprerë sipas standardeve mjekësore.

    “Sa i përket albuminës, është e vërtetë që gjatë një periudhe të shkurtër ka pasur mungesë për shkak të vonesave në furnizim nga operatori ekonomik. Kompania ‘Redoni HM’ është penalizuar për këtë vonesë”, thuhet në njoftim.

    Gjithashtu, ShSKUK njofton se edhe produktet Imipenem dhe Meropenem kanë pasur vonesa në furnizim. Për këtë janë marrë masa ndaj kompanisë Radix Pharm. Ndërkohë, për produktin medicinal kontrast jo-jonik, është penalizuar operatori ekonomik “Liri Med”, për shkak të mosrespektimit të kontratës.

    ShSKUK thekson se janë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore të nevojshme për të penalizuar kompanitë që nuk kanë përmbushur detyrimet kontraktuale.

    Gjatë vitit 2024, vlera totale e penalizimeve ndaj operatorëve ekonomikë ka arritur në 226,240.08 euro, ndërsa për vitin 2025 (deri më tani), kjo shumë është 130,184.75 euro.

    Në rastet kur procedurat e tenderimit kanë rezultuar të pasuksesshme për shkak të mungesës së ofertave, ShSKUK njofton se janë siguruar donacione me produkte përkatëse dhe po shqyrtohen alternativa të tjera ligjore dhe operacionale për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm.

    “Shprehim përkushtimin tonë të plotë për të garantuar furnizim të pandërprerë me barna esenciale, duke siguruar funksionim të rregullt të të gjitha shërbimeve shëndetësore dhe mbrojtje të vazhdueshme të interesit të pacientëve”, përfundon reagimi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark