Gjykata Themelore në Ferizaj e dënoi të pandehurin Menderes Sinani më shtatë vjet burgim. Ai akuzohet për veprat penale të ‘keqpërdorimit të pozitës zyrtare’, ‘marrjes së ryshfetit’, ‘ushtrimit të ndikimit’, ‘ofrimit të ndihmës për kryesit pas kryerjes së veprës penale’ dhe të ‘mos-raportimit të veprave penale’.
Menderes Sinani, në kohën e kryerjes së këtyre veprave penale ishte i punësuar në Policinë e Kosovës dhe mbante gradën e togerit.
Por, Gjykata përveç dënimit me burg, atij ia ka ndaluar që për pesë vjet pas lirimit, të mos mbajë asnjë pozitë.
Gjykata gjithashtu, urdhëroi të pandehurin t’ua kthejë palëve të dëmtuara paratë e marra në mënyrë të paligjshme nga ata.
Menderesin gjykata e shfajësoi nga një pikë e aktakuzës lidhur me ‘mospagesën e obligueshme të taksave doganore’, nga një pikë për ‘ofrimin e ndihmës për kryesit pas kryerjes së veprës penale’ dhe nga një pikë për ‘posedimin e paautorizuar të armëve të zjarrit’.
Trupi gjykues e shfajësoi të bashkakuzuarin Vahid Tahiri nga vepra penale e ‘mospagesës së obligueshme të taksave doganore’.
Ai akuzohej që si punëtor i ndërtimtarisë ka kryer veprat penale “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”.
Në fillim të këtij procesi ishin shtatë të pandehur. Të pandehurit, Bidajet Sylejmani, Shabani, Ramadan Ajvazi dhe Burim Veseli, sipas gjykatës, e pranuan fajësinë për veprat penale përfshirë ‘keqpërdorimin e pozitës zyrtare’, ‘marrjen e ryshfetit’, ‘ushtrimin e ndikimin’, ‘zhvatjen’, ‘shkaktimin e rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘posedimin e paautorizuar të armëve të zjarrit’.
Trupi gjykues atyre u shqiptoi dënime me burg dhe dënime financiare.
Të pandehurit, Sami Matoshi dhe Agron Matoshi, kanë ikur dhe ndodhen në arrati. Trupi gjykues ka nxjerrë fletë-rreshtim vendor dhe ndërkombëtar për arrestimin e tyre.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 27 dhjetor të vitit 2013 kishte ngritur aktakuzë kundër Menderes Sinanit, sipas të cilës, në cilësi të Udhëheqësit të Njësisë për Anti-Trafikim në Ferizaj kishte kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”./Insajderi.com