Personi me shtetësi të dyfishtë amerikano-ruse, Yusef Yunusovich Abramov, mbrëmë është dënuar me 150 vjet burg për shkak se disa herë e ka dhunuar një nxënëse në Rusi.
Gjatë një dhunimi të vajzës 12 vjeçare, derisa ishte për vizitë në Rusi, Abramov i ishte kërcënuar vajzës se nëse i tregon ndokujt atëherë do t’ia prente kokën, kanë thënë autoritetet.
Gjyqtari amerikan, Otis Wright, e cilësoi Abramovin, 58 vjeçar, si “kafshë grabitqare” gjatë paraqitjes së dënimit të pazakonshëm të gjatë me burg.
Në muajin nëntor të vitit të kaluar, një juri e gjyqit e shpalli Abramovin fajtor për keqtrajtim seksual të tri vajzave të mitura gjatë udhëtimeve të tij në Rusi, në një periudhë dyvjeçare dhe e dënoi atë në 6 pika për krim të rëndë.
Abramov buzëqeshej me ironi dhe e kishte tundur kokën derisa gjyqtari fliste, raporton AFP.
Ky person ishte arrestuar në prill të vitit 2014, pas hetimeve të përbashkëta nga Departamenti amerikan i drejtësisë, Shërbimi amerikan i migrimit, Komiteti rus i hetimit dhe policia e Moskës.
Prokurorët kishin kërkuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 45 vjetësh, por gjyqtari Wright tha se ka vendosur ta dënoj me 150 vjet, në mënyrë që viktimat mund të ndjehen të sigurta se i dënuari nuk ka gjasë të lirimit.