Ndërkohë që disa shtete amerikane po konsiderojnë metoda të reja për të zbatuar dënimin me vdekje, opinioni publik amerikan po jep shenja se po ndryshon qëndrim dhe nuk po përkrah ekzekutimin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias i hedh një vështrim argumenteve pro dhe kundër dënimit me vdekje, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po përballen me thirrje të shtuara ndërkombëtare të heqin dorë nga kjo praktikë.
Zbatimi i dënimit me vdekje në Shtetet e Bashkuara po shqyrtohet sërish, pasi shteti i Alabamës përdori për herë të parë në janar gaz nitrogjeni për të ekzekutuar një të dënuar me vdekje.
Shtetet po kërkojnë metoda alternative të ekzekutimit ndërkohë që substancat për injeksionet vdekjeprurëse janë të pakta. Por ende nuk ka konsensus se cila formë e ekzekutimit konsiderohet më e njerëzishme.
“Disa shtete po shqyrtojnë mundësinë të kthehen te skuadra e pushkatimit, të tjerë po konsiderojnë vdekjen përmes rrymës elektrike. Metodat e ekzekutimit nuk duhet të shkaktojnë dhimbje dhe vuajtje dhe ky është standardi i përcaktuar për shtetet”, thotë Robin Maher, Qendra për Informim mbi Dënimin me Vdekje.
Dështimi i shtetit Ajdëho në muajin shkurt për të ekzekutuar një vrasës serial përmes injektimit vdekjeprurës, nxiti thirrjet e serishme të Bashkimit Evropian që Shtetet e Bashkuara të ndjekin shembullin e pjesës tjetër të botës dhe të shfuqizojnë dënimin me vdekje.
Në vitin 2022, ishin 55 shtete në mbarë botën që lejonin dënimin me vdekje.
“Dënimi me vdekje nuk parandalon krimin, përkundrazi. Ekziston mundësia që sistemi i drejtësisë të gabojë dhe ky gabim është i pakthyeshëm”, thotë Peter Stano, Zëdhënës i BE-së për Politikë të Jashtme.
Ka shenja që gjendja po ndryshon. Nga 50 shtete amerikane, 27 vazhdojnë ta mbajnë në fuqi dënimin me vdekje, por vetëm pesë prej tyre kanë kryer ekzekutime gjatë vitit të kaluar, duke e çuar numrin total të të ekzekutuarve në 24.
Në mesin e demokratëve, përkrahja publike për dënimin me vdekje është ulur gradualisht gjatë viteve të fundit, sipas anketave të agjencisë Gallup.
Vitin e kaluar vetëm 32 për qind e demokratëve ishin në favor të dënimit, krahasuar me 81 për qind të republikanëve.
“Mendoj se shqetësimet rreth korrektësisë, barazisë dhe drejtësisë po nxisin këtë ndryshim në diskutimin kombëtar”, thotë profesori Austin Sarat.
Ndonëse i ka parasysh shqetësimet e atyre që duan ta shfuqizojnë këtë praktikë, veçanërisht mundësinë që një person i pafajshëm të ekzekutohet, profesori i Fakultetit juridik të Nju Jorkut Robert Blecker nuk mendon se ka gjasa që dënimi me vdekje të shfuqizohet plotësisht.
“Justifikimi i vetëm moral për dënimin është hakmarrja. Për shkak se disa njerëz kryejnë krime që janë aq mizore, me një qasje aq të neveritshme sa që thjesht e meritojnë të vdesin”, thotë Robert Blecker ga Fakulteti Juridik i Nju Jorkut.
Si kandidat presidencial në vitin 2020, Joe Biden u zotua ta shfuqizonte dënimin me vdekje, por gjatë qeverisjes së tij ka patur disa mospërputhje, sipas analistëve.
Departamenti i Drejtësisë vendosi një moratorium mbi ekzekutimet në nivel federal në vitin 2021, por i lejoi prokurorët të kërkonin dënim me vdekje për autorët e vrasjeve në masë në qytetin Pitsburg të Pensilvanisë dhe qytetin Bufalo të Nju Jorkut.
Ish Presidenti republikan Donald Trump, i cili po rikandidon për president, ka sugjeruar që dënimi me vdekje të përdoret edhe për shitësit e drogave.
Megjithatë, historikisht, dënimi me vdekje nuk ka paraqitur shqetësim të madh për votuesit amerikanë gjatë vitit zgjedhor./VOA