Shteti dorëzohet para biznesit të botoksit: Një orë pasi nxorri rregulloren, ministria e Vitia e anulon atë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Shteti dorëzohet para biznesit të botoksit: Një orë pasi nxorri rregulloren, ministria e Vitia e anulon atë

    Insajderi
    08 October 2025 - 21:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Shëndetësisë ka bërë një nga kthesat më të shpejta në historinë e vendimmarrjes. Vetëm një orë ka zgjatur rregullorja që ndalonte kryerjen e procedurave të botoksit dhe fillerave nga persona joprofesionistë. Pas presionit të madh nga grupet e interesit, vendimi u anulua.

    Në një email zyrtar, dërguar më 8 tetor 2025, në ora 11:33, Ministria kishte njoftuar se “procedurat mjekësore (mbjellje e flokut, botox, filler) dhe procedura të tjera estetike mund të ofrohen vetëm nga Institucionet e licencuara nga Ministria e Shëndetësisë me këto profile shëndetësore:

    1. Specialist i Kirurgjisë Plastike;
    2. Specialist i Dermatologjisë;
    3. Specialist i Kirurgjisë Maksilofaciale;
    4. Specialist i ORL-së.

    Çdo profesionist apo institucion që nuk ka të licencuar profesionistët e lartcekur nuk i lejohet ofrimi i këtyre procedurave mjekësore.”

    Mirëpo, vetëm disa orë më vonë, Ministria u tërhoq.

    Në një tjetër komunikim zyrtar, në orën 16:27 të së njëjtës ditë, thuhej se vendimi i mëparshëm duhej injoruar dhe se çështja do të adresohej përmes projektligjit të ri për shëndetësi.

    “Me qëllim të menjanimit të keqkuptimeve eventuale ju lutem injoroni email-in e mëhershëm,” thuhet në emailin e dytë, që ka siguruar Insajderi.

    Ky ndryshim i menjëhershëm brenda ditës, sipas burimeve të sektorit shëndetësor, tregon qartë se Ministria është tërhequr nën presionin e fuqishëm të biznesit multi-milionësh të estetikës, i cili operon prej vitesh pa kontroll.

    Ndërkohë, qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve të trajtimeve joprofesionale – nga infeksionet e deri tek komplikimet që dëmtojnë rëndë shëndetin.

    Në fund, shteti u dorëzua. Dhe përmbajtja e vendimit për botoks e fillera ndryshoi po aq shpejt sa një injeksion estetik – në më pak se një orë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark