×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Shteti dorëzohet para Byrosë së Sigurimeve, Shefki Gërboci mbetet drejtor pa aprovim të konkursit nga BQK-ja

    Insajderi
    26 August 2024 - 13:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Edhe pse Banka Qendrore nuk e aprovoi as konkursin ku Shefik Gërbovcit u bë Drejtor të Byrosë, Asambleja e BKS si kundërpërgjigje ndaj këtij institucioni shtetëror ia ka vazhduar mandatin si ushtrues detyre- duke shpërfillur këtë mekanizëm mbikqyrës. Insajderi sjell detajet e këtij zhvillimi

    Gazeta Insajderi

    Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) muaj më parë bëri një konkurs të brendshëm, ani pse i ishte kërkuar që ai të ishte publik. Personi që ushtronte detyrën e shefit të këtij institucioni, Shefik Gërbovci edhe doli fitues, pasi që edhe ishte ushtrues i detyrës edhe pjesë e konkursit.

    Emri i tij, sipas rregullave, do të dërgojë tek mbikëqyrësi i sektorit të sigurimeve, Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

    Por, kjo e fundit nuk e aprovoi as konkursin me të cilin Shefik Gërbovcit u bë shef i Byrosë, e megjithatë ai mbetet në atë pozitë, ani pse krejt situata ligjore nuk sqarohet as nga njëra e as nga pala tjetër -edhe pse Insajderi ka pritur për përgjigje për disa ditë radhazi.

    Fillimisht Gazeta Insajderi e ka pyetur Bankën Qendrore, e cila komenton që vet procesi me të cilin organet menaxheriale të Byrosë e vendosë në krye Gërbovcin, duhet të kthehet në pikën zero.

    “Banka Qendrore e Republikës së Kosovës pasi ka shqyrtuar kërkesën e BKS-së, ne pajtim me mandatin e saj, i ka kthyer përgjigje BKS-së përmes të cilës i ka bërë me dije se procesi për përzgjedhje të drejtorit ekzekutiv duhet të ri-përsëritet, në pajtim me parimet e qeverisjes korporative, duke siguruar një proces konkurrues dhe transparent, që BQK të mund të vlerësojë atë në pajtim me legjislacionin e aplikueshëm”, thuhet në përgjigjen e BQK-së dhënë Gazetës Insajderi.

    Pra, si të tillë, sipas këtij mekanizmi mbikqyrës, vet  “BQK nuk ka vlerësuar përshtatshmërinë e kandidateve të dalë nga ai proces. Kjo pozitë është e rëndësishme për shkak të mandatit dhe përgjegjësive që BKS i janë ngarkuar me Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Autopërgjegjësisë”.

    Edhe pse Byroja ende nuk ka shpallur konkurs të ri, e publik, BQK-ja edhe pse ka mandat për të detyruar institucionet që mbikëqyr në zbatim të ligjit dhe urdhëresave që lëshon vet Banka Qendrore, ky institucion i ka thënë Insajderit se me këtë çështje më nuk është marrë.

    “Pas kësaj përgjigje, kjo çështje konsiderohet e përmbyllur nga BQK, dhe në presim të shqyrtojmë procesin e ri të përzgjedhjes së Drejtorit Ekzekutiv me mandat të plotë, në pajtim me këto kërkesa”, thuhet në përgjigjen e BQK-së që i ka dhënë Gazetës Insajderi.

    Sipas këtij institucioni, “është përgjegjësi e organeve të BKS-së të sigurojnë qeverisje të mirë që reflekton parimet më të mira, në pajtim me pritjet rregullatorë”.

    Por, Banka Qendorere flet pak edhe për përgjegjësitë e saja, në një shkresë dërguar GAzetës Insajderi, pas pyetjeve që ka dërguar mediumi.

    “Sikurse është plotësisht në përgjegjësinë e BKS të përzgjedh kandidatët mbi bazën e kërkesave të legjislacionit dhe meritës nga një proces konkurrues e transparent, dhe BQK, nuk ka ndërhyrë dhe as ndërhyn në atë përzgjedhje, në asnjë mënyrë dhe në asnjë nivel”, thuhet në përgjigjen e BQK-së dhe ky institucion shton se “BQK është e përkushtuar që drejtuesit kyç në industrinë financiare, për të cilët kërkohet me legjislacion miratimi i BQK-së të jenë të përshtatshëm dhe të duhur, me nivel të duhur të profesionalizmit, që i përgjigjet kërkesave dhe nevojave të sistemit financiar duke përfshirë edhe BKS-në”.

    Vetëm pasi që janë informuar me këtë përgjigje të BQK-së, në postën elektronike të Insajderit ka ardhur edhe një përgjigje nga Byroja e Sigurimeve.

    Në këtë përgjigje ata citojnë bazën ligjore, sipas të cilës, ata pretendojnë që janë organet menaxheriale të Byrosë që e bëjnë edhe formën se si do të zgjidhet i pari i këtij institucioni dhe se qëndrimi i Shefik Gërbocit në këtë pozitë edhe pasi që BQK-ja e ktheu konkursin në pikën zero, është i ligjshëm.

    “Asambleja e Përgjithshme e BKS, në baze te Nenit 12, pika J lidhur me nenin 15, paragrfi 2dhe 3, te Statutit te BKS, ka vazhduar emërimin e Ztr. Gerbovci si U.D. Drejtor Ekzekutiv. Gjithashtu, BKS konform Rregullores se BQK për – “Standardet e raportimit dhe të mbikëqyrjes së Byrosë Kosovare të Sigurimit”, ka njoftuar BQK-ne me kohë:, thuhet në përgjigjen e Byrosë dhënë Insajderit.

    Asambleja e Përgjithshme e BKS, sipas përgjigjes dhënë Insajderit, “konform Statutit të BKS të aprovuar nga BQK, në kompetencë ekskluzive ka mënyrën e përzgjedhjes dhe emërimin e drejtorit ekzekutiv:, thuhet në përgjigje dhe shtojnë se ky organ i Byrosë është duke e trajtuar këtë çështje dhe “në ndërkohë, ju sigurojmë juve dhe opinionin, që në BKS punët janë duke u zhvilluar me normalitet”.

    Në qershor të këtij viti Gazeta Insajderi raportoi për mënyrën se si Shefik Gërbovci u zgjodh në krye të Byros në një konkurs që nuk ishte publik e ku ai ishte edhe ushtrues detyre i Drejtorit të BKS-së e edhe kandidat, që doli fitues.

    Gazeta Insajderi javët e fundit ka pasur një seri raportimesh në lidhje me zhvillimet në Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe masat që ka marrë BQK-ja në një vendim e që prekin drejtues të lartë të industrisë së sigurimeve edhe nëpër kompani private.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark