Xheneta Uka
Kosova nuk ka ende një plan konkret për të siguruar vaksinën anti-Covid. Përveç buxhetit i cili ende nuk është ndarë, shteti s’e di as sa të tilla i duhen për qytetarët e tij. Aktualisht në vend janë rreth 27 mijë të infketuar me virusin që ka prekur botën.
Një vaksinë e zhvilluar bashkërisht nga kompania gjermane BioNTech dhe firma amerikane Pfizer ka rezultuar 90% efektive për parandalimin e infeksioneve me COVID-19.
Pas këtij lajmi shumë vende kanë filluar të aplikojnë për të hyrë në radhë për marrjen e kësaj vaksinë.
Aktualisht 80 shtete janë bërë pjesë e mekanizmit COVAX (i përbërë nga Gavi, CEPI dhe OBSH), për të siguruar vaksinën antiCovid, pjesë e kësaj liste është edhe shteti i Kosovës.
COVAX Facility” është një mekanizëm ndërkombëtar që koordinon resurset dhe kërkesën për vaksinë ndaj COVID-19 me kapacitetet prodhuese të kësaj vaksine.
Fillimisht, COVAX do të furnizojë falas të gjitha vendet e botës me 300 mijë vaksina për të mbuluar 20% të popullsisë.
Se këto vaksina do të japen falas për qytetarët e Kosovës e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi edhe Ministria e Shëndetësisë.
“Ministria e Shëndetësisë qysh para disa muajve ka trajtuar temën e vaksinës me OBSH dhe organizata të tjera. Aleaca globale e vaksinimit COVAX, i ka premtuar Kosovës se do t’i jap 300 mijë vaksina falas, në momentinë kur të zhvillohet vaksina”, thuhet në përgjigjet e MSH-së dhënë Insajderit.
Përveq vaksinave falas që do t’i merr Kosvova, Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka treguar për sasinë që duhet ta porosië, e cila duhet të përkojë me kërkesat e qytetarëve.
Gazeta Insajderi ka pyetur MSH rreth sasisë që do të porosisë, por e njëjta nuk kanë kthyer përgjigje.
As ndarja e buxhetit për blerjen e vaksinës antiCOVID ende nuk është bërë, ani pse në vendimin e Qeverisë të marrë më 5 korrik 2020, në pikën 5 thuhet se Ministria e Shëndetësisë duhet ta ndajë buxhetin për vaksinën.
“Obligohen Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore të ndajnë buxhetin e nevojshëm për blerjen e deri në 100,000 teste virologjike; deri në 500,000 vaksina për gripin sezonal; dhe të bëhen porositë e nevojshme për vaksinën eventuale kundër COVID-19, në përputhje me protokollet e Komisionit Evropian dhe OBSH-së”, thuhet në vendimine Qeverisë.
E mosndarjen e buxhetit Ministria e Shëndetësisë e kanë arsyetuar duke thënë se nuk e dinë çmimin e vaksinës.
Sipas ministrisë, shteti i Kosovës nuk do ta ketë problem ndarjen e buxhetit për blerjen e vaksinës.
“Buxheti përcaktohet kur të dihet çmimi i vaksinave, por nuk do të jetë problem për shtetin e Kosovës buxheti për vaksina”, thuhet në përgjigjen e MSH-së dhënë Insajderit.
Krejt buxheti i Kosovës për vitin 2020 është 2,3 miliardë euro, ndërsa siç dihet vendi është duke u ballafaqaur me probleme të shumta ekonomike, dhe jo vetëm si pasojë e virusit SARS-CoV-2./Gazeta Insajderi/