Ujkan Metaj, i dënuar me 11 vjet burgim pas përfshirjes në rastin e vjedhjes së një banke në Istog, ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj, u arratis nga Burgu i Dubravës më 12 korrik. Janë bërë gjithsej 12 ditë që nga arratisja e tij, kurse Policia e Kosovës s’ka dhënë asnjë informacion mbi këtë çështje. As institucionet shtetërore s’e kanë komentuar këtë.
Emri i Ujkan Metajt është i njohur në rastin e vjedhjes së një banke në Istog, ku pa shenja jete mbeti Izet Demaj, raporton Gazeta Insajderi.
Gjykata Themelore në Pejë gjatë 2019 e kishte dënuar me pesë vjet burg, të akuzuarin Ujkan Metaj, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë se e kishte ndihmuar tani të ndjerin Kamer Metaj, për të kryer grabitjen e bankës në Istog, ku si pasojë e kësaj, ishte vrarë polici Izet Demaj.
Gjatë kësaj grabitje, gjatë shkëmbimit të zjarrit me pjesëtarë të policisë, kishte mbetur i vdekur edhe grabitësi Kamer Metaj. Sipas aktgjykimit të akuzuarit Ujkan Metaj do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgimin nga 27 dhjetori 2018, e tutje.
Më pas Apeli ia shtoi edhe dy vjet, e që në plotëni ai për këtë rast u dënua me 7 vjet burgim Në bazë të këtij aktgjykimi është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi i automjetit “Golf 4”, pronë e tani të ndjerit Kamer Metaj, një pushkë automatike “AK 47”, një granat dore “M-75” dhe një revole e tipit “Çeska”.
Policia e Kosovës tash e dy ditë nuk iu është përgjigjur interesimit të Insajderit lidhur me veprimet e PK’së në drejtim të gjetjes së të arratisurit Metaj nga burgu.
Mediumi iu është drejtuar me kërkesë për një koment zyrtar nga Zyra e Kryeministrit për arratisjen e Metajt, mirëpo as ata s’kanë dhënë përgjigje.
Metaj po vazhdon të bredhet i lirë tash e 12 ditë. Në bazë të asaj se çka është thënë nga drejtori i burgjeve, Ismail Dibrani, Ujkan Metaj e kishte pasur mundësinë e shfrytëzimit të ditëve të vikendit për vizitë në shtëpi.
I dënuari për dhënien e ndihmës së grabitjes së një banke në Istog duket se u trimërua nga Faton Hajrizi. Kjo, pasi që Metaj u arratis nga burgu i Dubravës vetëm gjashtë ditë pas arratisjes së Hajrizit nga Burgu i Smrekonicës (06 korrik).
Qeveria Kurti në asnjë moment nuk ia ka atribuuar vetës si dështim çështjen e arratisjeve. Madje, disa funksionarë të VV’së e kanë quajtur “ikje” dhe jo “arratisje”. Zëvendësministri i Drejtësisë, tha se personat e arratisur së fundi “janë larguar”, duke shpejguar se Kosova ka dy lloje të institucioneve korrektuese.
“Pra për këtë arsye, largimi nga institucioni i mbyllur konsiderohet arratisje, ndërsa largimi nga institucioni i hapur nënkupton largim”, tha ai.
Përgjegjësi për arratisje nuk ka ndjerë as kryeministri i vendit, Albin Kurti. Shefi i Qeverisë nga e gjithë zallamahija e krijuar nga arratisjet, i këshilloi qytetarët që mos ta heroizojnë Faton Hajrizin.
Në anën tjetër, dje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në vend që të fliste për rritje të sigurisë në mënyrë që të evitohen arratisje të tjera nga burgjet e Kosovës, gjeti një ndërlidhje ndërmjet arratisjes së Faton Hajrizit dhe vrasjes së policit me protestat kundër marrëveshjes për litium në Serbi.
Ajo në një konferencë për media pas intervistimit nga Prokuroria Speciale, tha se kjo gjë është diskutuar në takime me institucione të inteligjencës, shkruan Gazeta Insajderi.
“Pas ikjes së Faton Hajrizit nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë, ne kemi pasur takime me institucione të sigurisë dhe inteligjencës, në këto takime kemi diktuar të gjitha ikjet, arratisjet e fundit që kanë ndodhur për një kohë të shkurtë. Dhe ne këtë rast kemi përmendur edhe rastin e Faton Hajrizit dhe këto ndërlidhen edhe me shumë zhvillime të tjera në Serbi. Sepse supozohet se vendi ku ka ndodhur vrasja e policit është rreth 9 kilometra aty ku planifikohet të ndërtohen minierat e litiumit”, deklaroi ajo.
Siç thotë ministrja Haxhiu, shteti serb shfrytëzoi rastin e policit të vrarë nga Faton Hajrizi për t’i ikur protestave.
“Prandaj ka pasur një përpjekje të Serbisë sa më pak zëra sa më pak kundërshtime, sa ma pak reziston të këtyre kontratave. Dhe duket që apo është diskutuar që tendenca e Serbisë është që ta heqë vëmendjen nga ajo situatë dhe ndërlidh me vrasjen e policit, me incidentin që ka ndodhur në Llozincë. Dhe siç e dini, ajo zonë është rrethuar dhe si rezultat nuk ka pasur as reagime qytetare, siç ka pasur në plan”, ka shtuar Haxhiu tutje.
Që nga viti 2007 e deri më tani, nga burgjet e Kosovës janë arratisur 56 persona. /Insajderi.org/