×
  • Lajme
  • Analiza

    Shteti përfitoi 1.5 milion euro nga qytetarët që me procedurë të shpejtë morën pasaporta e letërnjoftime

    Insajderi
    24 November 2020 - 14:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Xheneta Uka

    Që nga muaji gusht, qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të pajisen me letërnjoftime e pasaporta, pasi shteti nuk ka siguruar materialet e nevojshme. Të vetmit që kanë mundur të marrin këto dy dokumente janë ata që kanë paguar 50 respektivisht 100 euro për procedurë të shpejtë. Shteti nga kjo ka përfituar rreth 1 milionë e gjysmë euro, ndërkohë që as pas tre muajsh nuk e ka rregulluar këtë çështje.

    Tashmë janë bërë tre muaj e gjysmë prej kur qytetarët e Kosovës nuk kanë mundur të pajisen në mënyrë të rregullt me letërnjoftim dhe pasaportë, për shkak të mungesës së materialit për të prodhuar letërnjoftim.

    Por lehtësisht ata mund t`i marrin këto dokumente nëse paguajnë 50 respektivisht 100 euro, për marrjen me procedurë të shpejtë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pritja e qytetarëve duket se do të vazhdoje edhe më tutje pasi Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka bërë zgjidhje për këtë problem.

    Kështu kanë konfirmuar nga Ministrisë së Punëve të Brendshme në një përgjigje për Gazetën Insajderi.

    “Shpresojmë që sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Pavarësisht këtij problemi, vetëm brenda 11 muajve rreth 200 mijë qytetarë kanë aplikuar për pajisje me letërnjoftim. Ndërsa, për pajisje me pasaportë kanë aplikuar mbi 100 mijë qytetarë.

    Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhënë Gazetës Insajderi, rreth 200 mijë që kanë aplikuar për letërnjoftime kanë paguar nga 10 euro, që i bie se nga këto aplikime shteti ka fituar rreth 2 milionë euro.

    Ndërkaq, mbi 100 mijë qytetarë që kanë aplikuar për pasaportë kanë paguar 35 euro, e që nga këto aplikime shteti ka fituar rreth 4 milionë e gjysmë.

     “Deri më tani, numri i përgjithshëm i aplikimeve përgjatë vitit 2020 është: Për letërnjoftim, 186086 aplikime gjithsej, Për pasaportë, 129230 aplikime gjithsej”, thuhet në përgjigjen e MPB dhënë Insajderit.

    Shteti përfitoi 1.5 milionë euro qytetarët që me procedurë të shpejtë morën dokumentet

    Për shkak të situatës së krijuar shumë qytetarë kanë zgjedhur aplikimin me procedura të shpejta për tu pajisur me letërnjoftime dhe pasaporta. Përmes kësaj procedure, qytetarët mund të marrin dokumentet brenda 24 orëve.

    Pagesa për një letërnjoftim me procedurë të shpejtë kushton 50 euro ndërsa për një pasaportë të shpejtë kushton 100 euro.

    Sipas të dhënëve të MPB dhënë Gazetës Insajderi, vetëm për 11 muaj mbi 11 mijë qytetarë kanë aplikuar për tu pajisur me letërnjoftim përmes procedurës së përshpejtuar.

    Nga aplikimet për letërnjoftim me procedura të shpejtuara shteti ka fituar mbi 500 mijë euro.

    Ndërsa, për pajisje me pasaportë me procedurë të përshpejtuar vetëm brenda këtij viti kanë aplikuar mbi 9 mijë qytetarë. Këta qytetarë kanë paguar 100 euro për një pasaportë.

    Vetëm nga këto aplikime në arkën e shteti janë derdhur mbi 900 mijë euro.

     “Aplikime me procedurë të përshpejtuar (me urgjencë) përgjatë vitit 2020  janë: Për letërnjoftim, 11081 aplikime. Për pasaportë, 9463 aplikime”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

    Arsyet pse MPB mbeti pa materialet për dokumente

    Kompania e cila ka fituar tenderin për furnizim me letërnjoftime dhe pasaporta për vitin 2020-2021, është ajo e njëjta që ka bërë furnizimin deri më tash, kompania gjermane “Veridos”.

    Sipas kontratës, kompania fituese do të furnizojë ministrinë me 250 mijë letërnjoftime elektronike dhe me 50 mijë pasaporta.

    Derisa në muajin e kaluar, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu pati deklaruar se “në qershor të vitit 2019 kanë kërkuar buxhet nga Ministria e Financave, për dokumente, por që nuk është bërë ndarja e buxhetit”.

    Një kërkesë e tillë, sipas tij, është bërë edhe në muajin shkurt, por një gjë e tillë nuk është aprovuar.

    Ministria e Punëve të Brendshme për këtë rast ka njoftuar qytetarët e Republikës së Kosovës, se nga rrethanat e krijuara si pasojë e pandemisë COVID-19, Agjencia e Regjistrimit Civil, nuk ka arritur me kohë të duhur të kryejë të gjitha procedurat e nevojshme për furnizim me material të mjaftueshëm për letërnjoftime. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark