Dy raste të vrasjeve mizore të grave nga burrat u shënuar brenda 5 ditëve të fundit në Kosovë. Në shtëpinë e saj derisa ishte në gjumë me sëpatë u vra të premten, Sadije Miftari-Godeni. Vrasësi është burri i saj, Izet Godeni i cili u dorëzua vet në polici. Hamide Magashi, e cila ishte në mbrojtjen e policisë pasi që gjykata kishte lëshuar urdhër për mbrojtjen e saj, pas dhunës së ushtruar nga Sokol Halili, i cili kishte edhe aktakuzë për kanosje ndaj saj – u vra në oborrin e QKUK-së ku pritej ta sillte në jetë foshnjën e saj. Rasti i së mërkures nuk është i vetmi në Kosovë, ku viktimat ishin lënë të pa mbrojtura nga shteti. Njësoj ndodhi edhe me Dijana Kastratin e Valbona Ndrecaj, e listën e gjatë me emrat e grave tjera që jetën ua morën bashkëshortët e tyre
Para gjashtë ditësh dheu e mbuloi trupin e 63 vjeçares Sadije Miftari-Godeni, pas vrasjes së rëndë nga bashkëshorti i saj, Izet Godeni.
Jeta e arsimtares së Gjeografisë, Sadije Godeni u ndërpre pamëshirshëm mëngjesin e hershëm nga bashkëshorti i saj, Izet Godeni.
Vrasjen e rëndë, e dyshuari Godeni sipas konfirmimit të Policisë e Prokurorisë e kreu me sëpatë, derisa pas krimit u është dorëzuar organeve të rendit.
Në duart e shtetit u vra Hamide Magashi me foshnjën e saj
Organet e drejtësisë në Kosovë, kanë qenë të informuara që nga muaji korrik se Sokol Halili po ushtronte dhunë mizore ndaj gruas së tij Hamide Magashi.
Ferrin që ka përjetuar tashmë e ndjera Hamide Magashi e ka rrëfyer motra e saj, Burbuqe Magashi. Ajo ka deklaruar se motra e saj maltretohej nga ish-bashkëshorti me të cilin ka jetuar tre muaj dhe familjarët e tij.
Sipas saj, në trupin e saj kishte shenja të mavijosura si pasoj e dhunës që ushtronte ai. Thotë se nuk e lejonte të shkonte te motrat, dhe në rastet e rralla kur e lejonte ia caktonte kohën kur e pret të dal tek dyert e shtëpisë.
Në një moment Burbuqe Magashi thotë se edhe në banjo përcillej nga nëna e dorasit, vjehrra e saj. Ndërsa foshnjën që pritej ta sillte në jetë gjatë këtyre dy ditësh, sipas motrës së saj duhej ta dorëzonte tek Sokol Halili.
35 vjeçarja Magashi, ishte në përcjellje të Policisë së Kosovës, pasi zyrtarisht gjykata kishte lëshuar urdhërmbrojtje ndaj saj, vendim ky që do të duhej të ekzekutohej nga Policia e Lipjanit. Ndërsa ndaj Sokol Halilit ishte ngritur aktakuzë për kanosjen e 35 vjeçares, qysh në muajin gusht.
E ndjera pas tre muajsh martesë ishte ndarë nga Halili me ndërhyrjen e policisë. Ajo ishte shtatzënë dhe pritej të bëhej nënë për herë të parë. Javën e kaluar sipas familjarëve ishte dërguar në QKUK dhe të enjten pritej ta sillte fëmijën në jetë jetë.
Fatkeqësisht në mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e Gjinekologjisë, Sokol Halilit me armë zjarri ia mori jetën asaj dhe foshnjës që pritej të vinte në jetë.
Vrasësi u arratis nga vendi i ngjarjes e trupi i Hamide Magashit mbeti aty për më shumë se dy orë.
Në duar të shtetit u vra Valbona Ndrecaj dhe vajza e saj Klara 9 vjeçare
Në mëshirë të vrasësit shteti i pati lënë Valbonën 34 vjeçare, e Klarës atëherë 9 vjeçare, e katër fëmijët e tjerë që nga momenti që e kishte liruar nga paraburgimi, pasi që Valbona kishte vendosur që ndahej nga ai pas dhunës së vazhdueshme që përjetonte.
Policia dhe Prokuroria, kishin qenë në dijeni për rastin e tyre. Ndrecaj kishte qenë në paraburgim nga data 12 maj deri me 6 qershor të vitit 2018, për dhunën që i kishte shkaktuar Valbonës.
Qifti jetonin të ndarë prej disa muajsh, derisa tre nga pesë fëmijët jetonin me nënën dy tjetër jetonin me të. Pasi që u morën nga nëna e tyre nga dy policë në Gjakovë ndonëse nuk kishte asnjë urdhër nga gjykata për këtë.
Në ditën kritike, disa orë para se Ndrecaj të qëllonte me automatik duke i lënë të vdekura gruan dhe vajzën e tij, i kishte dërguar një mesazh kërcënues në telefon gruas.
Valbona Ndrecaj ishte ankuar në polici për kërcënimin, por shteti nuk i doli në mbrojtje.
Policia pati shkuar deri në shtëpinë e kërcënuesit por meqë nuk e kishte gjetur aty, e kishte lënë të lirë.
Vetë kryeprokurori i Gjakovës Ali Selimaj, pati thënë se viktima ishte ankuar në polici për kërcënimin “policia ka shkuar në shtëpinë e të dyshuarit dhe ka tentuar ta kontaktoj por ka qenë e pamundur”.
Vetëm kaq ka bërë policia e prokuroria atë ditë për Valbonën, shkruan Gazeta Insajderi.
Kurse Ndrecaj arriti të shkoj në shtëpinë e familjes së bashkëshortes dhe në korridor të shtëpisë në lagjen Brekoc të Gjakovës, duke shtënë me kallashnikov la të vdekur atë dhe vajzën e tyre.
Valbona ishte goditur në gjoks dhe kokë ndërsa vajza Klara ishte goditur prapa veshit.
Në 13 faqet e aktakuzës ndaj Ndrecajt prokuroria përshkruan në detaje se si ky qift kishin pasur probleme edhe para ditës kritike.
Disa javë para vrasjes Pjetri ishte arrestuar nga policia, si i dyshuar për ushtrim të dhunës ndaj gruas së tij. Kishte qëndruar, 30 ditë si i paraburgosur, ndërsa me të liruar nga paraburgimi kishte mbledhur burrat për ta zgjidhur rastin me kanun.
Paralelisht me sistemin e drejtësisë ai kishte synuar të vë në funksion edhe “ligjet” e kanunit.
Derisa Valbona ishte duke qëndruar me fëmijët në shtëpinë e vëllezërve të saj, Pjetri kishte mbledhur burrat, e kishte shkuar në familjen e saj për ta kthyer Valbonën tek ai.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, pikërisht në ditën kritike ai kishte tentuar përmes burrave të pajtohej me Valbonën.
Në rrëfimin e tij para prokurorit, daja i Valbonës kishte deklaruar se e kishte takuar qiftin në korridorin e shtëpisë, dhe se sipas tij, Pjetri i kishte rënë në gjunjë ish gruas së tij, por Valbona nuk kishte pranuar të pajtohej më të.
Derisa vëllau i saj, kishte deklaruar se motra e tij, ishte keqtrajtuar disa herë nga burri i saj. Madje siç thoshte ai, Pjetri e kishte rrahur publikisht gjatë një dasme Valbonën.
Pasi që Valbona nuk kishte pranuar t`i kthehej më atij, e kur burrat ishin larguar nga shtëpia, ai e kishte kërcënuar përmes telefonit.
“Tash të pret një dhuratë e bukur ty dhe lalushit do t’i dhemb zemra” i kishte shkruar ai Valbonës.
Menjëherë pas kërcënimit, Valbona e kishte denoncuar atë në stacionin e policisë në Gjakovë.
Përkundër që Valbona i kishte paralajmëruar policinë se Pjetri mbajte armë, policia përveç që e vizitoi në shtëpi atë nuk mori asnjë veprim tjetër ndaj Pjetrit, i cili pas pak orëve vrau me disa plumba gruan 34 vjeçare dhe vajzën 9 vjeçare.
Policia arriti ta gjejë Pjetrin vetëm pas vrasjes.
Mbi 12 thyerje në trupin e Marigona Osmanit, dhunë seksuale, rrahje brutale e vrasje
Një rast mizor i dhunës seksuale, rrahjes brutale e vrasjes së rëndë ndodhi verën e kaluar në Ferizaj.
Marigona Osmani, 18 vjeçare u dhuna seksualisht e në mënyrë mizore, u rrah brutalisht e në fund u vra nga i dashuri i saj Dadan Krivaça e Arbër Sejdiu, në banesën e tyre në qendër të Ferizajt.
Osmani nuk mundi tu bëjë ballë krimeve të tmerrshme që u bënë në trupin e saj nga Krivaça e Sejdiu.
Këta dy si të dyshuar, që nga gushti i vitit të kaluar ndodhen në paraburgim për vrasjen e vajzës 18 vjeçe, Marigona Osmani nga Ferizaj.
Prokuroria ngriti aktakkuzë ndaj tyre, duke i ngarkuar me veprat penale vrasje e rëndë, dhunim dhe ndihmë në dhunim.
Krimi i Krivaçës dhe Sejdiut përshkruhet në detajet në aktakuzën të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Sipas prokurorisë, Krivaça pa pëlqimin e Marigonës e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale deri në atë masë sa e ndjera edhe humbi aftësinë për të rezistuar.
“I pandehuri Dardan Krivaça, me 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në Ferizaj, pa pëlqim e saj e detyron të ndjerën Marigona Osmani për të kryer marrëdhënie seksual, e cila përcillet me tortura, në atë mënyrë që fillimisht pa dëshirën e saj kryen marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e dërgon në banjo, nga aty me dhunë e dërgon në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore si pasojë e dhunës së ushtruar humb aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kryen marrëdhënie seksuale pastaj të zhveshur e dërgon në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup”, përshkruan prokuroria në aktakuzë.
Viktima u godit në mënyrë mizore me shkop në gjithë trupin sipas prokurorisë.
“Me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtë martesore, në atë mënyrë që në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë merr një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë hyjnë në dhomë dhe e godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i shkaktojnë, dhimbje të mëdha fizike dhe psikike, ku nga goditjet pëson politrauma-lëndime të shumëfishta…”.
“… ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejtë nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerje e ashtit të nofullës së poshtme, thyerje e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrizit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty”, thuhet në aktakuzë.
Gratë tjera që u lanë në mëshirë të bashkëshortëve vrasës
Njësoj në mëshirën e vrasësit shteti e kishte lënë edhe Dijana Kastratin.
Janë bërë 11 vjet që kur Diana u vra në pikë të ditës vetëm disa metra larg shtëpisë së saj. I dyshuari për vrasjen e saj, ish-bashkëshorti Adnan Jashari. Ai ende nuk është kapur nga organet e ndjekjes dhe drejtësisë kosovare, shkruan Insajderi.
Jashari tash e sa vjet gjendet në Spanjë. Në maj të vitit 2011 ishte arrestuar nga autoritetet spanjolle në bazë të urdhër arresti ndërkombëtar por ky nuk shtet asnjëherë nuk ka pranuar ekstradimin e tij në Kosovë.
Pamundësia e shfrytëzimit të mekanizmave ndërkombëtar, si INTERPOL-i për ekstradimin e tij, ka bërë që ai mos të gjykohet asnjëherë për veprën e tij.
Një viktimë tjetër e vrasjes nga burri është Zejnepe Bytyqi gruaja nga Suhareka.
Vrasja e saj kishte ndodhur pas shumë telasheve dhe rrahjeve, përgjatë gjashtëmbëdhjetë viteve torturë.
Për vrasjen mizore të Zejnepes, vrasësi i saj u dënua me 12 vite burgim. Ky dënim u ngrit për disa vite më shumë vetëm pas protestave dhe presionit publik, shkruan Insajderi.
Vrasjet tjera të grave që tronditën vendin
Me 17 shkurt 2016 kishte mbetur e vrarë 35 vjeçarja Dafina Zhubi, përkundër që nga ekspertiza ndërkombëtare e vërtetoj se ajo u vra nga i dashuri i saj, ajo u raportua si e vetëvrarë.
Kjo ekspertizë ndërkombëtarë kishte vënë në dyshim prokurorinë e rastit, e cila kishte konstatuar
vrasjen e saj si vetëvrasje.
Donjeta Pajaziti është vajza tjetër njëzetekatër vjeçare e cila u gjet e vrarë në bjeshkët e fshatit të
saj, pas gjashtë jave kërkimesh pas zhdukjes së saj.
Për rastin e Donjetës fillimisht ka pasur një të dyshuar kryesor me të cilin lidheshin të gjitha provat, mirëpo pak ditë më parë ky i dyshuar u lirua nga akuza për vrasjen e saj.
Sipas vendimit të gjykatës, provat të cilat janë në dispozicion nuk janë në përputhje me viktimën, shkruan Insajderi.
Antigona Morina ka vdekur 10 vite më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës. Atëkohë bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, ka përkeqësuar gjendjen e saj duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të.
Zena ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Rahovec, ndërsa ankesa që ishte bërë nga Prokuroria pas atij vendimi ishte zhdukur nga zyrtarët e gjykatës.
Në gusht të vitit 2019 Armenda Aliu, mbeti e vrarë me 15 plumba nga bashkëshorti i saj Bajram Veliaj, në një lagje të Prizrenit.
Qifti Velija kishin ardhur për pushime në Kosovë.
Nuk dihej motivi i gjithë kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi vendin, por ishte raportuar se rastit i ka paraprirë një zënke që çifti kishte pasur në natën kritike me njëri-tjetrin.
Në mars të vitit të kaluar Sebahate Morina-Sopi u vra nga ish-bashkëshorti i saj Lulzim Sopi në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë.
Kjo vrasje kishte ndodhur 11 ditë pasi që ishte raportuar dhuna që përjetonte ajo nga bashkëshorti. Lulzim Sopi fillimisht vrau Sebahte pastaj kishte kryer vetëvrasje.
Më 25 korrik të vitit2020 rreth orës 12, në shtëpinë e saj në fshatin Berivojcë të Kamenicës, Sabile Mavrovqanit ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, Nihi Mavrovqani.
Sipas prokurorisë Nuhiu, me dashje ka vrarë gruan e tij me një shufër metalike.
Sipas aktakuzes pas fjalosjes, i njëjti me mjet të përshtatshëm – shufër metalike, e ka goditur në dorën e majtë dhe në kokë, e cila pasi është rrëzuar në dysheme, përsëri ka vazhduar ta godasë disa herë në kokë dhe pjesë tjera të trupit, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Nga plagët e rënda të shkaktuar nga goditjet me shufër metalike, kishte vdekur Sabilja.
Në fillim të muajit janar të këtij viti Lirie Qerimaj ishte vrarë me armë zjarri në shtëpinë e saj në Llaushë të Skënderajt, nga bashkëshorti i saj, Skënder Qerimaj.
Vetëm pse ditë para se ajo të vritej nga burri i saj, e kishte lajmëruar në polici për dhunë, duke kërkuar ndihmë nga dora e shtetit. Por këtë fatkeqësisht nuk e mori.
Kërkesa për mbrojtje ishte dorëzuar në ditën kur ajo u vra, me 5 janar.
Përveç saj, rastin në polici e kishte lajmëruar edhe djali i saj, duke njoftuar organet e rendit se nëna e tij kishte dhunë psikike të vazhdueshme nga babai i tij, Skender Qerimaj.
Gruaja sipas policisë ishte dërguar me plagë në emergjencë e më pas në Spitalin Rajonal ndërsa rreth orës 14:40 pra më shumë se një orë pasi kishte ndodhur ngjarja, e njëjta ka vdekur si pasojë e plagëve të marra. /Gazeta Insajderi