Data 3 dhjetor shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara. Kurse viti 2022 në Kosovë ishte shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara ani pse sipas kësaj kategorie mbështetja institucionale ka përsëri ngecje.
Insajderi
Me një vendim të Qeverisë së Kosovës, viti 2022 është shpallur “Vit i personave me aftësi të kufizuara”.
Në bazë të këtij vendimi, institucionet obligohen që gjatë vitit 2022 të plotësojnë kuotën e punësimit në bazë të Ligjit për Aftësim, Riaftësim dhe Punësim të Personave me Aftësi të Kufizuara. Inspektorati i Punës, në anën tjetër, obligohet për inspektimin e zbatimit të këtij ligji.
Por prap ky vendim duket se nuk është respektuar.
Insajderi ka kontaktuar përfaqësuesin e organizatës “You Can Do“, Hashim Llumnica i cili gjithashtu është i verbër që nga lindja.
Llumnica tha për Insajderin se pavarësisht se qeveria kishte shpallur këtë vit si vit i personave me aftësi të kufizuara nuk janë bërë edhe shumë përmirësime krahasuar me nevojat.
“Në lidhje me 3 dhjetorin si datë në përgjithësi, meqenëse në ketë vit qysh ministria apo Qeveria e ka shpall i vit i personave me aftësi të kufizuara ka fillu disa hapa për personat me aftësi të kufizuara por në bazë të nevojave janë shumë pak, ska bo shumë, shpresojmë që në vitet e ardhshme ka me punu më shumë se në këtë vit”, tha Llumnica.
Sipas tij, ka vetëm disa përmirësime në infrastrukturë, për personat e verbër dhe për personat me karroca.
Gjithashtu ai tha se ka filluar edhe përmirësimi tek literatura dhe punësimi i kësaj kategorie.
“Pak kanë fillu edhe punësimet, ose praktikat prej 6 muaj deri në 1 vit, dhe gjithashtu tek literatura edhe pse duhet më shumë punë janë disa libra në alfabetin braj dhe gjithashtu me audio”, tha ai për Insajderin.
Ndërkaq Lulzim Morina i cili është i diagnostikuar nga distrofia muskulare, tha se nuk ka shumë qasje në rrugë.
Ai bëri thirrje Kryeministrit, Albin Kurti por edhe presidentes, Vjosa Osmani që t’i përkrahin më shumë personat me aftësi të kufizuara që të mos ketë dallime.
“Unë mendoj që nuk ka edhe shumë qasje për ne, por mendoj që të behet më mirë i bëj thirrje presidentes së Kosovës po ashtu edhe Kryemistrit Albin Kurti që le të na përkrahin në ketë shoqëri me shumë që mos të kemi dallime”, tha Morina për Insajderin.
Sipas tij data 3 dhjetor i bënë personat me aftësi të kufizuar të ndihen si pjesë e shoqërisë edhe më shumë.
“Ndihem shumë mirë që është një dit vetëm dedikuar neve ndërkombtarisht dhe ndihem i barabartë me të gjithë qytetarët se kjo dit festohet në mënyrën më të mirë që ne si persona me aftësi të kufizuara të jemi të lumtur dhe krenar gjithashtu të barabartë në të gjitha institucionet pa dallim”, shtoi ai.
Në anën tjetër, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Kosovë jetojnë më shumë se 150 mijë persona me aftësi të kufizuara.