Një 36-vjeçar ka lajmëruar rrejshëm në Polici, se një veturë e tipit “Golf 2”, i kishte shkaktuar lëndime në këmbë.
Në Polici ai kishte paraqitur edhe raportin mjekësor, mirëpo policia nga hetimet e bëra, pas grumbullimit të informacioneve, ka siguruar prova se 36-vjeçari ka lajmëruar rrejshëm këtë rast.
I njëjti është arrestuar dhe pas intervistimit, ndaj tij është iniciuar kallëzim penal, nën dyshimin se ka kryer vepër penale “Lajmërimi, apo kallëzimi i rrejshëm” me procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari është liruar.
Njoftimi i policisë:
Me datën 18.06.2022 në ora 10:25, personi me inicialet M.SH ( M/K) i moshës 36 vjeçar kishte raportuar në stacionin policor në Shtime një rast të lëndimit trupor , sipas tij lëndime trupore në këmbë i kishte shkaktuar një automjet VW Golf II , në rrugën ‘’ Tahir Sinani ‘’ në Shtime, për këtë kishte ofruar edhe raport mjekësor.
Hetuesit policor nga stacioni në Shtime, nën autorizim të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i kishin marr të gjitha veprimet e nevojshme dhe kishin nisur hetimin.
Pas një pune hetimore për disa ditë, grumbullimit të informacioneve në terren, hetuesit policor kanë arritur që të sigurojnë prova të mjaftueshme materiale dhe deklarative se i dyshuari M.SH, kishte lajmëruar rrejshëm rastin lëndim trupor dhe me datën 13.07.2022 , i njëjti është shoqëruar
në stacionin policor në Shtime.
Pas intervistimit nga hetuesit policor, ai në tërësi e ka pranuar veprën dhe me vendim të Prokurorit të rastit, ndaj tij është inicuar kallëzim penal, nën dyshimin se ka kryer vepër penale ‘’ Lajmërimi, apo kallëzimi i rrejshëm’’ me procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari është liruar.