×
  • Lajme
  • Lajme

    “Shtimi i trupave të KFOR-it s’është zgjidhje për stabilitet afatgjatë”

    Insajderi
    30 August 2024 - 09:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ndihmëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s për Operacione, Thomas Goffus, të enjten ka qëndruar në Kosovë, e një ditë më parë edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Nga të dyja vendet ai ka përsëritur angazhimin e NATO-s për paqe dhe stabilitet në rajonin “me rëndësi strategjike për Aleancën”.

    Goffus ka përmendur rritjen e numrit të trupave në Kosovë nga viti i kaluar pas tensioneve në veri, por ka deklaruar se kjo nuk është zgjidhje për stabilitet afatgjatë.

    “Gjatë vitit të kaluar, kemi rritur numrin e trupave në Kosovë, në mënyrë që të menaxhonim, për fat të keq, një mjedis më sfidues të sigurisë dhe tensione të vazhdueshme. Kjo tregon, edhe një herë, përkushtimin e palëkundur politik të aleatëve të NATO-s për sigurinë e qëndrueshme në gjithë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Edhe pse fatkeqësisht është e nevojshme për momentin, më shumë trupa nuk janë zgjidhja për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Kosovë”, ka thënë Goffus, njoftoi NATO përmes një deklarate për media të premten.

    Më tej, ka shtuar se zgjidhja për situatën është politike, duke përmendur këtu dialogun Kosovë-Serbi. Ka bërë thirrje për zbatim të marrëveshjeve ekzistuese.

    “Veprimet e papritura dhe të pakoordinuara, veçanërisht në veri të Kosovës, mund të rrisin rrezikun e dhunës, që minon sigurinë e njerëzve në Kosovë dhe rrit rrezikun me të cilin përballen trupat e KFOR-it. Kjo rrit shqetësimin e aleatëve të NATO-s për stabilitetin e rajonit, sigurinë e Kosovës dhe sigurinë e trupave të tyre”, ka theksuar ai.

    Goffus e ka quajtur “jetike” koordinimin në kohë dhe efektiv me NATO-n e komunitetin ndërkombëtar – ndërsa ka përmendur këtu çështjen e Urës së Ibrit.

    Ndërsa ka kërkuar përgjegjësi për ngjarjet e dhunshme në Zveçan e Banjskë të vitit të kaluar, ai ka thënë se “veprimet e pakoordinuara bashkë me retorikën përçarëse, nxisin tensione që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Kosovë”.

    “Ekziston një mundësi dhe një nevojë për të ndërmarrë hapa pozitivë drejt depërshkallëzimit dhe uljes së presionit, përmes dialogut konstruktiv për zgjidhje të qëndrueshme”, ka deklaruar Goffus.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark