Komuna e Shtimes e drejtuar Qemajl Aliu i Vetëvendosjes është rrugës për të ia dhënë edhe një tender tjetër nipit të Ruzhdi Jasharit, kandidatit të dikurshëm të kësaj partie për të parin e Shtimes, dhe aktualisht asamblist i partisë në pushtet. Afro gjysmë milioni euro është tenderi i radhës që sipas një akuzë publike po i bëhet gati firmës “Ardhmëria” të Dashnim Jasharit, dhe zyra e tenderëve nën qeverisjen e Vetëvendosjes ka tentuar të mashtroi në këtë procedurë. Kompania që u ankua thotë se po detyrohen që rastin ta dërgojnë në Prokurori.
Gazeta Insajderi
Që nga qershori i këtij viti Komuna e Shtimes ka nisur procedurat për ta hapë e asfaltuar pastaj një rrugë që lidh tri fshatra atje, Petrovën me Reqakun e Rancën për të dalë në qytet. I ka planifikuar që t’i shpenzoi gjysmë milioni euro.
E kaq ka qenë edhe oferta e firmës “Ardhmëria”, pronë e biznesmenit Dashnim Jashari. Dashnimi është nipi i Ruzhdi Jashari, i cili ishte kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të komunës në vitin 2017, dhe tash asamblist i kësaj partie.
Para kalimit në Vetëvendosje, Ruzhdi Jashari ka qenë në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Shtime.
Në tenderin e nisur në fillim të qershorit të këtij viti, për hapjen e asfaltimin e rrugës që lidh Petrovën me Reqakun e Rancën, garuan dy firma. Njëra ishte mbi 20 mijë euro më e lirë se sa firma e biznesmenit Jashari.
Kjo firmë ka deponuar një ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimeve (OSHP), ku pos shkeljeve të pretenduara të Komunës së Shtimes në tender, bën edhe akuza publike që komuna e drejtuar nga Qemajl Aliu i Vetëvendosjes tentoi të mashtronte.
Pasi që kompania që ishte më e lirë u eliminua, bëri një ankesë fillestare brenda zyrës ë tenderëve në Shtime, e që iu refuzua si e pabazë, ani pse thotë se ka deponuar edhe dokumente që nuk duhej të eliminohej nga gara.
Komuna e Shtimes “duke mos e pranuar si të bazuar kërkesën për rishqyrtim ka bërë shkeljen e paragrafit 10.2 te nenit 108/A te LPP-se qe thotë se: të miratojë një kërkesë për rishikim si të bazuar dhe të anulojë pjesërisht ose tërësisht vendimin e miratuar; Pra, kjo shihet si tendencioze dhe diskriminuese ndaj nesh si GOE dhe favorizuese ndaj OE se rekomanduar”, thuhet në këtë ankesë.
Ky arsyetim, sipas firmës që u ankua, është i paqëndrueshëm për faktin se, sipas tyre Shtimja “pikërisht për të dashur që të na mashtron nuk e ka vendosur emrin dhe çmimin e kompanisë as në vendimin e AK-se (shpalljen e fituesit), ku kjo shihet si mashtruese ndaj neve dhe gjithë operatoreve, ku për te mos e vendosur çmimin tonë edhe pse jemi dukshëm më i lire se OE i rekomanduar për kontrate”, thuhet tutje në ankesë.
Ankuesi: Rastin do ta dërgojmë në Prokurori e Krime Ekonomike
Kompania madje pretendon që ka dëmtim të buxhetit. Dhe, kërkon që ky rast të hetohet nga Prokuroria e Krimet Ekonomike.
“Pra, për ta sqaruar më në detaje: OE i rekomanduar ka ofertuar me çmim 499,438.87 €, kurse ne si GOE kemi ofertuar me çmim prej 478, 753.25 €, andaj dëmtimi i buxhetit publik në vlerë prej 20,685.62 €”, thuhet në ankesë dhe firma në fjalë përmend nenet e Ligjit të Prokurimeve që sipas tyre janë shkelur dhe shton se meqë pretendojnë që është dëmtuar buxheti ata si grup i kompanive në garë janë “të detyruar ti drejtohemi organeve kompetente të shtetit për hetim të këtij rasti: Krimeve Ekonomike dhe Prokurorisë dhe të del e vërteta në shesh”, thuhet në ankesë.
Edhe më herët ishte raportuar që firma e nipit të asamblistit të VV-së, “Ardhmëria”, pronë e biznesmenit Dashnim Jashari, ka marrë dhjetar tenderë në këtë komunë- përfshirë edhe periudhën “para çlirimit”, kur pushtetin e kishte PDK-ja, e për një periudhë Ruzhdi Jashari ishte në PDK.
Kur PDK-ja ishte në pushte, Ruzhdi Jashari ishte pyetur për firmën e nipit, ku ai kishte thënë që “tash e 23 vite (deklaratë e vitit 2020) jetojjmë ndaras nëse do ta jap firmën që djali im ka firmë të veten edhe në asnjë punë as nënkontraktor nuk është kurrë”.
E kur ishte pyetur se nëse një firmë merr shumë tenderë, Ruzhdi Jashari ishte përgjigjur që “kryetari duhet të jap përgjegjësi“, duke iu referuar atëherë Naim Ismajlit të PDK-së.
Deri para ardhjes së Vetëvendosjes në pushtet në Shtime, pra në kohën e Naim Ismajlit të PDK-së, ishte raportuar që vetëm për katër vite firma “Ardhmëria” mori mbi 50 tenderë, derisa në një raportim të më vonë, del që edhe pasi që Qemajl Aliu i Vetëvendosjes erdhi në pushtet firma e njëjtë mori edhe mbi 20 tenderë të tjerë.
Në platformën ‘prokurimi i hapur’ që nuk është e përditësuar në vazhdimësi, del që firma “Ardhmëria” që nga viti 2019 ka një sërë kontratash, por që të gjitha janë vetëm me Komunën e Shtimes- jo me ndonjë institucion tjetër.