Vetëm brenda 24 orëve dy deklarata të çuditshme u lëshuan nga bashkëkryetarët e Listës Guxo. Me ‘mallkim’ e me epitetin ‘shtinëset e katunit’ u portretizuan anëtarët e partive opozitare. Ky fjalor sa i çuditshëm është edhe aq i papërshtatëm për pozitat të cilat ata i udhëheqin.
Gjatë mbrëmjes së sotme, ministri Faton Peci i ftuar në emisionin Pressing, ka përdorur gjuhë seksiste duke dashur ta godas opozitën.
Ai i quajti deputetët e partive opozitare ‘shtinse të katunit’. Sipas ministrit Peci, ata vetëm përqeshin tërë kohën.
“Unë nuk po e kuptoj, unë e dëgjoj opozitën në kuvend e në paraqitjet që i kanë, thojnë veq: A Albini lshoj pe, e kritikojnë, a Albini nuk lëshojë pe, dalin e kritikojnë. Duhet me u përcaktu ka po doni me shku. Pjesa më e madhe e opozitës është bërë ajo që në gjuhën popullore thuhet sikur shtinset e katunit, që vetëm përqeshin”, ka thënë Peci në T7.
Nga ana tjetër, mbrëmë, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla ‘mallkoi’ ish-ministrin e jashtëm, Skender Hyseni.
Ajo i reagoi Hysenit, pasi ky i fundit tha se deklarimet e presidentes Vjosa Osmani për qasjen e Borrellit po i përngjajnë me ato të Enver Hoxhës e Sllobodan Millosheviqit.
Gërvalla përmes një shkrimi në Facebook i tha Hysenit ‘Zoti t‘marroftë, Skënder Hyseni, për këto fjalë të pafalshme!’.
Tutje, Gërvalla tha se kjo është fytyra e vërtetë e atyre që e vodhën, e plaçkitën, e mashtruan, e futën në udhë pa krye Kosovën.
“Skënder Hyseni dhe plot të tjerë jo vetëm që e çuan LDK-në në 10%, por çdo ditë kujdesen që ta mbajnë të fundosur. E sa për Kosovën, e kanë treguar me kohë se sa vlerë ka për ta”, kishte shkruar Gërvalla./Insajderi.org/