
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Shtime ka shtuar dyshimet lidhur me “trenin bullgar” në këtë komunë për votat e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Reagimi i tyre vjen pas atij të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Shtime, të cilët pretendonin të njëjtën gjë.
Në reagimin e LDK’së në Shtime thuhet se ekzistojnë dyshimet serioze për prani të “trenit bullgar” gjatë votimit, duke iu referuar pranimit të disa fletëvotimeve të pavulosura, shkruan Insajderi.
LDK’ja në Shtime i ka bërë thirrje autoriteteve të hetojnë këtë rast.
“Dega e LDK-së në Shtime shpreh shqetësimin dhe pakënaqësinë e saj për stërzgjatjen e procesit të numërimit të votave. Mosshpallja e rezultateve dhe mungesa e transparencës në informimin e publikut rreth ecurisë së procesit zgjedhor po rrit konfuzionin dhe dyshimet mbi vërtetësinë e rezultateve.
Përveç kësaj, procesi zgjedhor është goditur nga dyshime shumë serioze për prani të “trenit bullgar” gjatë votimit, që ka ngritur shqetësime për ndërhyrje të jashtme. Gjithashtu ka dëshmi për pranin e disa fletëvotimeve të pavulosura Të gjitha këto parregullsi jo vetëm që dëmtojnë besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor, por krijojnë perceptimin e një përpjekjeje për manipulim të rezultateve.
Dega e LDK-së në Shtime i bënë thirrje organeve kompetente për ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për të siguruar përfundimin efektiv dhe transparent të procesit zgjedhor që është në interes të publikut, duke përfshirë hetimin e plotë të këtyre parregullsive dhe keqpordorimit eventual të vullnetit qytetarë”, thuhet në reagimin e tyre.
Për këtë çështje po ashtu ka reaguar PDK’ja në shtime, duke e quajtur këtë tendencë për manipulim të vullnetit të qytetarëve.
“Partia Demokratike e Kosovës, Dega Shtime, shpreh shqetësimin e thellë lidhur me gjetjen e disa fletëvotimeve të pavulosura e që mbajnë numrin e subjektit të Lëvizjes Vetëvendosje në Qendrën e Numërimit në Shtime. Kjo ngre dyshime serioze për kepërdorimin e vullnetit të qytetarëve të Shtimes gjatë procesit të votimit andaj i bëjmë thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet për këtë çështje, për të siguruar integritetin e procesit zgjedhor.
Çdo përpjekje për të manipuluar vullnetin e qytetarëve është e papranueshme dhe cenon rëndë demokracinë tonë”, u tha në reagimin e degës së PDK’së në Shtime.
Shqetësime për prezencën e “trenit bullgar” me ndihmë të VV’së në zgjedhje ka pasur edhe në Komunën e Gjakovës.
Kujtojmë se “treni bullgar”, për herë të parë është përdorur në Bullgari në vitin 2007 si fenomen i manipulimit të zgjedhjeve.
Çka është “treni bullgar”?
“Treni bullgar” për herë të parë është përdorur në Bullgari në vitin 2007 si fenomen i manipulimit të zgjedhjeve.
Kjo do të thotë që votuesit jashtë qendrës së votimit marrin një fletëvotim të plotësuar, të cilin e fusin në kutinë e votimit. Ndërsa fletëvotimin të cilin e marrin në mënyrë të rregullt e nxjerrin jashtë qendrës së votimit. I njëjti fletëvotim plotësohet dhe përdorët nga një votues tjetër. /Insajderi.org/