Më shumë se 1.1 milionë britanikë e kanë nënshkruar një peticion që i kërkon qeverisë të mbahet një referendum i dytë për anëtarësimin e Britanisë në Bashkimin Evropian
Peticioni për parlamentin thotë që qeveria duhet të “implementojë rregullin i cili thotë nëse një referendum ku pjesëmarrja në votime ka qenë nën 75 %, ndërsa fituesi ka marrë nën 60 % të votave, duhet mbajtur një referendum tjetër”.
Referendumi i 23 qershorit ka përfunduar me 52 % të votave për dalje të Britanisë nga BE-ja, ndërsa pjesëmarrja në votime ka qenë 72 %.
Parlamenti është i detyruar që të “marrë në konsideratë për debat” të gjitha peticionet që kanë më shumë se 100 mijë nënshkrime.
Kryeministri britanik, David Cameron i cili ka bërë fushatë për mbetjen e vendit të tij në BE ka thënë se do të jap dorëheqje pas tre muajsh.
Cameron megjithatë ka thënë se mbajtja e një referendumi të dytë nuk është i mundshëm.
Më shumë se 130 mijë persona ndërkaq e kanë nënshkruar një peticion tjetër ku kryetarit të Londres, Sadiq Khan i kërkohet që kryeqyteti të deklarohet i pavarur nga Britania dhe më pas të aplikojë për anëtarësim në BE, shkruan REL.
Peticionet e kryera përmes internetit sinjalizojnë dallimet e jashtëzakonshme që kanë dal në pah referendimit për dalje të Britanisë nga Bashkimi Evropian.