Shtohet numri i pacientëve për shkak të ndotjes së ajrit dhe gripit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Shtohet numri i pacientëve për shkak të ndotjes së ajrit dhe gripit

    Insajderi
    26 December 2016 - 15:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Janë shtuar rastet e gripit dhe viruseve sezonale, në kohën kur temperaturat kanë shënuar rënie, ndërkaq është përkeqësuar shumë edhe cilësia e ajrit.

    Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thuhet se viruset sezonale, rrezikojnë më shumë shëndetin e fëmijëve, personave në moshë si dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike.

    Aktualisht në Klinikën Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, po vazhdojnë të trajtohen numër i madh i fëmijëve me gripin sezonal.

    Për 24 orë ndihmë mjekësore thuhet se po kërkojnë rreth 100 fëmijë.

    Drejtori i kësaj Klinike, Muharrem Avdiu, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se rastet e shtuara të gripit rrezikojnë më së shumti fëmijët.

    “Gripi sezonal është duke vazhduar me intensitet të njëjtë, sikur edhe muajin e kaluar. Epidemia po zhvillohet dhe shenjat dhe komplikimet janë kallje e mushkërive e pezmatime të ndryshme”.

    “Fëmijët me sëmundje kronike, si ata me diabet e asmë, me bronhite, fëmijët e keq-ushqyer janë seriozisht të rrezikuar”, ka thënë Avdiu.

    Ndërkaq, infektologu Sali Ahmeti, nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka thënë, se edhe të rriturit në masë të madhe janë prekur nga virusi sezonal, e që kapacitetet e kësaj klinike mezi po i përballojnë fluksit.

    “Muajt e fundit ka pasur shtim të numrit të rasteve me grip sezonal, por pa diskutim që është sezonaliteti i gripit, dhe pritet numër i shtuar”.

    “Por patjetër që ajri i ndotur e shton numrin e rasteve me grip, meqenëse ajri i ndotur është faktor favorizues për përhapjen dhe shtimin e rasteve me grip”, ka deklaruar Ahmeti.

    Në anën tjetër, Muharrem Avdiu, flet edhe në lidhje me ndotjen e ajrit, duke e cilësuar atë si një ndër faktorët që po ndikon në rritjen e numrit të sëmurëve.

    “Ajri i ndotur është faktor që e ndihmon të keqen. Rreth 100 fëmijë po vazhdojnë të kërkojnë ndihmë mjekësore për 24 orë. Edhe pranime të shumta me ndërlikime të ndryshme ka në klinikën tonë, e që ndërlidhen me ajrin e ndotur, ndonëse ky është virus sezonal”, ka thënë ai.

    Ndryshe, Kosova është radhitur nga mekanizmat ndërkombëtarë në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

    Përkeqësimi i nivelit të cilësisë së ajrit, sidomos në Prishtinë, ka vënë në alarm edhe Ministrinë e Mjedisit të Planifikimit Hapësinor të Qeverisë së Kosovës, por edhe dikasteret tjera, konfirmojnë zyrtarët të kësaj ministrie.

    Sipas Ilir Morinës, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, në bazë të matjeve që i ka bërë kjo agjenci, ka rezultuar se janë dy periudha kohore brenda 24 orëve që ajri është më i ndotur, ku edhe ka thënë se ka tejkalime enorme.

    Kurse udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla ka dhënë disa rekomandime se si të dilet nga kjo situatë e krijuar sa i përket ajrit të ndotur.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të marrë masa urgjente në adresimin e ndotjes së ajrit, para se gjithash përmes rregullimit teknik të automjeteve që qarkullojnë në trafikun rrugor pa kritere të mirëfillta teknike . Duhet të ju përmbahen emisionit të gazrave”.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark