Pas Brexitit në Britaninë e Madhe është shtuar urrejtja ndaj të huajve nga vendet e BE-së. Ekspertët paralajmërojnë për përçarje të thella në shoqerinë britanike.
Të dielën në mëngjes bashkëpunëtorët e Polish Social and Cultural Association (POSK) në Hammersmith të Londrës kanë përjetuar një befasi të keqe: persona të panjohur kanë shkruar në hyrje të godinës parulla raciste.
Por ky nuk është një rast i vetëm: në Huntington, në qarkun Cambridgeshire në një shkollë janë gjetur harta me shkrime: “Jashtë nga BE” dhe kundër punëtorëve nga Polonia. Një nxënës 11-vjeçar me origjinë nga Polonia tha se vërtetë e ndjenë veten të pikëlluar. Letra me parulla të këtilla janë gjetur edhe në pjesë të tjera të qytetit.
“Si evropianolindore unë jam e shqetësuar”, thotë Ana Petrov, nga Bullgaria. Ajo jeton qe tre vjen në Jug të Anglisë. “Unë kam krijuar këtu një vendlindje të dytë. Por tani kur flas me telefon në gjuhën bullgare, kam frikë se dikush do të më bërtasë. Apo diçka edhe më keq.”, shkruan DW.
Të dhënat e policisë tregojnë rritjen e urrejtjes dhe kriminalitetit ndaj të huajve, prej javës së kaluar. Mes të enjtes dhe të dielës është shtuar me 57 % numri i sulmeve. Ndërkohë që sulmet janë shtuar edhe në rrjetet sociale, ku ka shumë sharje dhe ofendime kundër të huajve. “Papritur e ndjej veten sërish si të huaj dhe larg shtëpisë sime”, thotë gjermania Karolin Weber, e cila punon në Londër.
Një pjesë e madhe e agresionit drejtohet kundër personave me origjinë nga vendet e BE-së, por edhe britanikët me ngjyrë janë në shënjestër. Gazetarja e BBC-së Sima Kotchena është ofenduar për shkak të raportimit për Brexit-in. Reporteri Ciaran Jenkins, i kanalit Channel 4 News, ka dëgjuar brenda pesë minutash tri herë thirrje: “Le të kthehen në vendin e tyre…”
“Në shënjestër janë kryesisht evropianolindorët, por jo vetëm ata”, thotë Liz Fekete, drejtore e Institute of Race Relations. “Ne konstatojmë se edhe gratë myslimane dhe fëmijët janë në shënjestër. Për të rikthyer besimin do të ketë nevojë për shumë kohë.”
Shumëkush mendon se këto janë pasojat e një fushate polarizuese para referendumit, ku më së shumti është bërë fjalë për imigrimin. Javët e fundit ka pasur edhe një parullë të partisë anti BE-së, UKIP, ku shihen refugjatët në kufi me Austrinë dhe thuhet: “Breaking Point”. Në gjithë vendin mund të shihen edhe parulla: “Halt the German advance: Vote Leave” (Stop depërtimit gjerman – Votoni për daljen).