
Gjykimi ndaj drejtoreshës së Inspeksionit në Komunën e Gjilanit, znj. Entela Hyseni, e akuzuar për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, ka dështuar të mbahet sot, ndonëse aktakuza ndaj saj është vërtetuar nga Gjykata e Apelit.
Arsyeja e shtyrjes së seancës ishte kërkesa e paraqitur nga pala e dëmtuar, biznesmeni Valon Salihu, i cili kërkoi përjashtimin e gjyqtarit të rastit, Naser Maliqi.
Në kërkesën e dorëzuar të cilën e ka parë Gazeta Insajderi, Salihu pretendon se gjyqtari Maliqi ka vepruar në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me procedurat ligjore, duke shkelur të drejtat e palës së dëmtuar. Madje, sipas tij, gjykatësi ka hedhur aktakuzën pa respektuar afatin ligjor për përgjigjen e palës së dëmtuar, duke ngritur dyshime serioze mbi objektivitetin e procesit.
Salihu, përmes dokumenteve zyrtare, thekson se gjyqtari Maliqi është mbështetës publik i subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës është edhe e pandehura Hyseni. Sipas tij, ky fakt përbën konflikt të qartë interesi dhe cenon rëndë paanshmërinë e gjykimit.
Gjykatësi, Maliqi përmes llogarisë së tij në Facebook kishte pëlqyer një video ku shihej Kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kurti në video shihet me disa zyrtarë të tjerë të Vetëvendosjes në një restorant në Podujevë, shkruan Insajderi.
“Veprimet e gjyqtarit nuk janë gabime teknike, por shkelje të qëllimshme që synojnë favorizimin e të pandehurës”, thuhet në kërkesën e biznesmenit Salihu, i cili ka apeluar tek kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Venhar Salihu, që gjyqtari Maliqi të përjashtohet nga gjykimi dhe rasti të trajtohet nga një trup tjetër gjykues.
Për pasojë, seanca e sotme, e cila pritej të shënonte fillimin e shqyrtimit fillestar, është shtyrë deri në një vendim të ri lidhur me kërkesën për përjashtim të gjyqtarit. /Insajderi.org/