
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shtyrë gjykimin ndaj biznesmenit nga Mitrovica, Mentor Beqiri. Kjo sipas mbrojtjes së të pandehurit për shkak shkeljes së procedurave, gjegjësisht mos konfirmimit të aktakuzës.
Beqiri dyshohet se ka shtyrë persona për të sulmuar fizikisht kryeinspektorin e punës për rajonin e Mitrovicës, Nexhat Fazliu në prill të 2020-ës.
Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Mentor Beqiri ngarkohet me veprën penale ‘Shtytje në vrasje të rëndë në tentativë në bashkëkryerje’.
Për shtyrjen e seancën së sotme detaje më të hollësishme dha avokati i tij, Musa Damati, i cili po e cilëson si të montuar rastin ndaj klientit të tij.
“Klienti im z. Mentor Beqiri është afarist me renome ndërkombëtare dhe pasurimi i tij i ligjshëm është duke i penguar pushtetit dhe oponentëve të tij. Rasti penal ndaj tij është i montuar dhe nuk ekzsiton asnjë ndërlidhje midis veprimeve inkriminuese dhe krijmit të elementëve të cilat do të krijonin figurën e posaçme për të cilën akuzohet”, ka thënë Damati.
“Prokuroria ka përmendur duke pretenduar në aktakuze se motivi për hakmarrjen nga klienti im është bërë për shkak të shqiptimit të gjobës prej 10.000€, unë ju konfirmoj se kjo është e paqëndrueshme për faktin se klienti im në këtë vlerë 10.000€ në ditë pothuajse shpenzon vetëm për derivate të automjeteve të punës së korporatës së tij, andaj edhe nuk konsiston me analogjinë dhe karakterin e klientit tim një akuzë e tillë”, ka shtuar ai.
“Seanca e sotshme është shtyre për shkak të shkeljes procedurale të mos konfirmimit të aktakuzës dhe ajo ka mbetë të shqyrtohet nga instancat më të larta për të vazhduar më tutje me shqyrtimit gjyëqësor më pastaj për klientin Mentor Beqiri”, deklaroi Damati.
Kryeinspektorit i punës për rajonin e Mitrovicës, Nexhat Fazliu, i cili ishte sulmuar më 29.04.2020 rreth orës 09:05 në fshatin Godanc të Drenasit nga tre persona, që për pasojë kishte marrë plagë të rënda.
Për këtë rast prokurorja Besa Limani një vit pas ndodhjes së rastit, më saktësisht më datë 29.04.2021 ka ngritur aktakuzë ndaj Behar Halilit, Shpëtim Tahirit dhe Mentor Beqiri. Sipas aktakuzës Behar Halili dhe Shpëtim Tahiri në bashkëkryerje me Mehmet Kurteshin (tashmë i ndjerë) dyshohet se kanë rrahur rëndë kryeinspektorin e punës, Nexhat Fazliu dhe për këtë vepër prokuroria i ngarkon me veprën penale ‘vrasje e rëndë në tentativë’, ndërsa i pandehuri tjetër Mentor Beqiri ngarkohet me veprën penale ‘Shtytje në vrasje të rëndë në tentativë në bashkëkryerje’, thuhet në aktakuzën.
Në faqen dy të aktakuzës , prokuroria thotë se të pandehurit Behar Halili dhe Shpëtim Tahiri, të nxitur nga Mentor Beqiri (biznesmen) në shenjë të hakmarrjes për detyrën zyrtare të të dëmtuarit, Nexhat Fazliu – kryeinspektor i Inspektoratit të Punës në Mitrovicë, më dashje që ta privojnë nga jeta, të pandehurit e kanë goditur në kokë dhe gjithë trupin me shkopinj bejsbolli dhe mjete të forta, ku për pasojë i dëmtuari është alivanosur dhe rrëzuar pa ndjenja.
Ndërsa, Mentor Beqirin prokuroria e akuzon se i ka shtyrë Behar Halilin dhe Shpëtim Tahirin ta kryejnë veprën në shenjë hakmarrje, pasi që kryeinspektori Nexhat Fazliu kishte gjobitur me 10 mijë euro kompaninë MAB Sh.P.K. me pronar Mentor Beqirin.