Liderët e Bashkimit Evropian e kanë shtyrë samitin emergjent në Bruksel me kryeministrin e Turqisë, Ahmet Davutoglu, pasi ky i fundit ka paraqitur një propozim të ri lidhur me atë se si ta trajtojnë çështjen me migrantë.
Zëdhënësi i Davutoglu e paralajmëroi propozimin para reporterëve, duke theksuar se Ankaraja “po bën përpjekje që ta hapë rrugën” e zgjidhjes së problemit.
Ai ka refuzuar që të japë hollësi rreth ofertës së re të Turqisë, por tha se procesi i pranimit të Turqisë në BE është gjithashtu një çështje me rëndësi për delegacionin turk.
Pritet që 28 vendet anëtare të BE-së të kërkojnë nga Turqia që ta ngadalësojë rrjedhën e migrantëve që po udhëtojnë drejt Evropës, si dhe t’i kthejë ata që nuk kualifikohen për azil.
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte , vend ky që aktualisht e mban rotacionin 6 mujor të BE-së, tha se është optimist se do të arrihet një marrëveshje ndërmjet liderëve të BE-së dhe Ankarasë.
Ndërsa ministri i jashtëm francez, Jean-Marc Ayrault tha se Evropa ka nevojë që të mendojë për sistemin e vet të kufijëve të hapur.
Vitin e kaluar, më shumë se 1 milionë migrantë kanë hyrë në Evropë ilegalisht, përmes barkave. Shumë prej tyre ishin sirianë, afganë dhe irakianë, që udhëtonin nga Turqia për në Greqi, me shpresën se do të arrinin në shtetet evropiane më në veri.
Në nëntor, Bashkimi Evropian u pajtua me qeverinë turke që Ankaraja ta ngadalësonte rrjedhën e migrantëve, në këmbim të parave. Blloku thotë se Turqia ka bërë progres drejt zbatimit të marrëveshjes, por ankohet për numrin e madh të migrantëve që po ia mësyejnë Greqisë, nga Turqia.