Një seancë ku do të diskutohet për murin afër urës së lumit Ibër, që ishte paralajmëruar të mbahet këtë të mërkurë, është shtyrë për një ditë tjetër.
Këtë e ka konfirmuar kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, që ka qenë propozues i rezolutës për heqjen e murit në veri të Mitrovicës.
“Sot kemi mbajtur një takim të gjithë shefat e grupeve parlamentare dhe jemi pajtuar që seanca për rezolutën të mos mbahet të mërkurën”, ka thënë Lekaj, njofton Klan Kosova.
“Megjithatë kjo seancë do të mbahet në njërën nga dy ditët pasuese, të enjten ose të premten”, ka pohuar Lekaj.
Ai nuk ka treguar edhe arsyet se pse është shtyrë mbajtja e kësaj seance.