Dalja nga Shqipëria dhe hyrja në Greqi nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës do të qëndrojë e mbyllur deri më 22 mars 2021.
Autoritetet e Policisë greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID-19, kanë njoftuar palën shqiptare për shtyrjen e afatit të bllokimit të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, deri më 22 mars, njofton Stacioni i policisë kufitare Kapshticë.
Deri në këtë datë, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, vijon të jetë e mbyllur.
Ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt Shqipërisë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamionë mallrash). Mjetet si autobusë, taksi apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojë.