
Kandidati për kryetar të Lipjanit nga radhët e PDK-së, Shukri Buja, ka njoftuar për një aderim të rëndësishëm në ekipin e tij zgjedhor. Profesoresha universitare dhe studiuesja e administratës publike, Albulena Brestovci Agushi, i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës si kandidate për Asamblenë Komunale të Lipjanit.
Përmes një postimi në Facebook, Buja e cilësoi Brestovci Agushin si një “emër me peshë akademike dhe profesionale”, duke theksuar se ardhja e saj në PDK përforcon radhët e partisë me kuadro të dijes dhe përkushtimit.
Ky është postimi i tij i plotë:
Albulena Brestovci Agushi: një emër me peshë akademike dhe profesionale i bashkohet PDK-së!
PhDc. Albulena Brestovci Agushi, profesoreshë universitare, studiuese e palodhur dhe zë i fuqishëm i mirëqeverisjes, i bashkohet shtëpisë sonë të madhe: Partisë Demokratike të Kosovës. Albulena do të jetë kandidate për Asamblenë Komunale në Lipjan nga radhët e PDK-së.
Me një karrierë të pasur akademike dhe profesionale në fushën e administratës publike, Albulena përfaqëson më së miri gjeneratën e re të grave të përgatitura që e duan vendin dhe janë të gatshme të kontribuojnë me dije, përvojë dhe përkushtim.
Ajo është në prag të marrjes së titullit doktor shkence në fushën e administratës publike, duke qenë e vetmja femër në Kosovës me tri nivele të studimit për administratën publike. Përvoja e saj në institucione publike dhe organizata ndërkombëtare, si dhe angazhimi i saj në trajnime e konferenca, e bëjnë Albulenën një vlerë të shtuar për partinë tonë dhe për Lipjanin.
Albulena Brestovci Agushi ka pasur një rrugëtim të gjatë dhe aktiv politik brenda LDK-së, ku që nga viti 2006 ka shërbyer si anëtare dhe më pas si sekretare e Forumit Rinor, ka qenë kandidate për Asamblenë Komunale të Lipjanit dhe ka ushtruar funksionin e nënkryetares së Forumit të Gruas deri në vitin 2019.
Me aderimin e saj, PDK po forcohet me njerëz të dijes, me gra të guximshme dhe profesioniste që besojnë në një politikë të drejtë, të ndershme dhe zhvillimore. Mirë se erdhe Albulena: rrugëtimi ynë drejt fitores bëhet edhe më i sigurt me ty!