
Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar një nga projektet e tij kryesore për qytetin – rikthimin e Tregut të Gjelbër.
Buja tha se tregu nuk do të jetë më i improvizuar si në të kaluarën, por do të shndërrohet në një hapësirë moderne.
“Një treg që do t’u shërbejë çdo ditë qytetarëve, afër shtëpive të tyre, me produkte të freskëta, të shëndetshme dhe të sigurta. Ky projekt nuk është thjesht ndërtim tregu, por rikthim i identitetit të qytetit dhe mbështetje për fermerët dhe prodhuesit lokalë”, tha ai.
Ai la shkruar se në hapësirë do ketë edhe parkingje nëntokësore.
“Do të krijojmë një hapësirë sociale, edukative, rekreative dhe kulturore – një qendër komunitare, jo vetëm një vend tregtie. Brenda projektit, do të ndërtojmë edhe parkingje nëntokësore me kapacitet 110 automjetesh – për të lehtësuar qarkullimin dhe për të liruar hapësirat publike. Do të krijojmë vende pune, do të rrisim cilësinë e jetës dhe do të sjellim më shumë gjallëri në zemrën e Lipjanit. Ky është vizioni ynë për Lipjanin – një qytet që ruan shpirtin e tij, respekton qytetarët dhe ecën përpara me plan, vullnet dhe punë”, shkroi ai.