
Kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit nga PDK, Shukri Buja, ka njoftuar se ekipit të tyre i është bashkangjitur Shqipe Krasniqi.
Buja, tha se Krasniqi ishte pjesë e organeve drejtuese në nivel qendror dhe lokal të Aleancës Kosova e Re.
Ai ka vlerësuar lart Krasniqin duke e cilësuar shembulli i lidershipit të vërtetë
“Shqipe Krasniqi, zëri i guximshëm i grave dhe të rinjve në politikë! Me përvojë të gjatë në jetën politike, pjesë e organeve drejtuese në nivel qendror dhe lokal të Aleancës Kosova e Re (AKR), me njohuri të thella për administratën publike, Shqipe Krasniqi është shembulli i lidershipit të vërtetë dhe organizimit me vizion. E përkushtuar ndaj fuqizimit të grave, angazhimit të të rinjve dhe ndryshimit të kulturës politike në Lipjan, Shqipja është pjesë e brezit që nuk pajtohet me gjendjen ekzistuese, por punon për ta ndryshuar atë! Me energji, dije dhe përkushtim për një Lipjan më të drejtë, më të barabartë dhe më të zhvilluar”, shkroi ai.
Edhe Kryetari i degës së PDK-së në Lipjan, Hyzer Rizani, i ka dëshiruar asaj mirëseardhje në një postim në “Facebook”.
Rizani ka shkruar se Shqipe Krasniqi është një aktiviste në çështje komunitare
“Me shumë kënaqësi njoftoj se znj. Shqipe Krasniqi, një grua e përkushtuar, me përvojë në politikë dhe në shërbim të qytetarëve të Lipjanit, i është bashkuar ekipi të fitores. Shqipja sjellë me vete profesionalizëm, integritet dhe energji pozitive – një zë i fortë për gratë, për zhvillimin lokal dhe për një politikë më afër qytetarit. Me përvojën e saj si anëtare e Kryesisë Qendrore të AKR-së, Koordinatore e degës së Lipjanit, dhe Kryetare e degës, gjithashtu nje aktiviste në çështje komunitare, ajo përfaqëson vlerat që ne i çmojmë: punë, përkushtim dhe besim në ndryshim. Bashkimi i saj me ekipin tonë është forcim i vizionit tonë për një të ardhme më të mirë. Mirë se erdhe në familjen tonë politike, Shqipe”, ka thënë ai.