Shukri Buja përkujton Ismet Jasharin në përvjetorin e rënies: Ikonë e luftës, organizimit dhe disiplinës ushtarake - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Shukri Buja përkujton Ismet Jasharin në përvjetorin e rënies: Ikonë e luftës, organizimit dhe disiplinës ushtarake

    Insajderi
    25 August 2025 - 10:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka kujtuar sot heroin e UÇK-së, Ismet Jashari – Komandant Kumanovën, në 27-vjetorin e rënies së tij dhe të dëshmorëve të Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut.

    Buja me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ e ka cilësuar Jasharin “ikonë të luftës, të organizimit dhe disiplinës ushtarake”, duke përmendur betejat e tij në Llapushnik, Carralevë, Qafë të Duhlës e Blinajë.

    “Lavdi veprës, luftës dhe jetës së Komandant Kumanovës, lavdi dëshmorëve të Brigadës 121 dhe të gjithë dëshmorëve të kombit”, ka shkruar Buja.

    Postimi i plotë:

    Ismet Jashari – një ikonë e luftës, e organizimit dhe e disiplinës ushtarake, sot shënon përvjetorin e përjetësisë së tij, njëkohësisht edhe përvjetorin e dëshmorëve të Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut.

    E kujtoj me krenari kohën kur vepronim së bashku në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK) dhe ti vije në redaksinë e gazetës “Zëri i Kosovës”.

    Kujtoj rrugëtimin tonë drejt Kosovës, në marsin e vitit 1998, bashkë me Agim Bajramin, Abenë, Fehmiun dhe Xhevën. Me trup atleti dhe plot energji, ti ishe gjithmonë i gatshëm për sakrificë, i përkushtuar pa rezervë ndaj çështjes kombëtare.

    Të kujtoj në betejat heroike të Llapushnikut e Carralevës, Qafës së Duhlës e Blinajës. Të kujtoj në plagët e lirisë, në Kleçkën legjendare, ku lufta u bë histori dhe gjaku u bë flamur.

    E kujtoj me emocione të thella takimin tonë të fundit, kur të dhashë këmishën ushtarake që e doje aq shumë. Një moment i thjeshtë, por që sot peshon rëndë në kujtimet dhe krenarine time.

    Sot, kujtimet më rëndojnë, por ato janë kujtime të lavdisë.

    Ti u përjetësove më 25 gusht 1998 për t’u kthyer në LEGJENDË.

    Lavdi veprës, luftës dhe jetës së Komandant Kumanovës!

    Lavdi dëshmorëve të Brigadës 121 të ZO të Pashtrikut!

    Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit! /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark