×
  • Lajme
  • Lajme

    Shumë barna esenciale mungojnë në farmacitë shtetërore

    Insajderi
    17 October 2024 - 13:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bedrije Emini nuk i gjeti të gjitha barnat që ia përshkroi mjeku në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Shtime, edhe pse ato janë të përfshira në listën esenciale të barnave.

    “Disa i mora e disa nuk i paskan. Më duhet t’i blej vetë në ndonjë barnatore private”, i tha Emini Radios Evropa e Lirë.

    “Do të ishte më mirë po t’i merrja të gjitha këtu, por çfarë të bëj?”, u shpreh shkurtimisht pacientja, teksa në dorë mbante një letër me emrin e antibiotikut që do ta kërkonte jashtë institucionit publik shëndetësor.

    Lista esenciale e barnave është një dokument zyrtar, që përmban një përzgjedhje barnash dhe produktesh mjekësore, të nevojshme për përmbushjen e nevojave themelore të shëndetit për popullatën.

    Produktet nga kjo listë, që përfshin rreth 200 lloje barnash, ofrohen falas.

    Por, sikurse Emini, shumë pacientë e gjejnë veten duke paguar nga xhepat e tyre për barnat që duhet të jenë të disponueshme përmes sistemit të kujdesit shëndetësor.

    Kjo, për faktin se furnizimet nga lista esenciale në disa komuna të Kosovës sillen vetëm nga 25 deri në 30 për qind.

    Udhëheqësit lokalë të sistemit shëndetësor drejtojnë gishtin te Ministria e Shëndetësisë, e cila është përgjegjëse për përmbushjen e listës esenciale.

    Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë në dijeni për situatën dhe se janë duke punuar për përmirësimin e zinxhirit të furnizimeve, megjithëse pohojnë se, në bazë të dokumenteve, 80 për qind e barnave janë të siguruara.

    Sa përmbushet lista esenciale?

    Ekipi i Radios Evropa e Lirë vizitoi javën e dytë të tetorit qendrat e mjekësisë familjare në disa komuna të Kosovës. Dhe, ankesa kishte në të gjitha prej tyre, sidomos për mungesë të llojeve të caktuara të antibiotikëve, të barnave kundër dhimbjeve, të vitaminave, të ampulave etj.

    Në Shtime, farmacisti që menaxhon barnatoren në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Naim Dauti, tha se, gjatë gjithë këtij viti, shumë më pak se gjysma e barnave dhe produkteve tjera nga lista esenciale kanë qenë të disponueshme.

    “Në tremujorin e parë dhe të dytë, furnizimi nuk ka qenë më shumë se 25%, kurse në tremujorin e tretë ka pasur një përmirësim dhe tani kemi furnizim deri në 39.9% me barna”, tha Dauti.

    Situatë e ngjashme dukej edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti.

    “Përqindja e furnizimit është rreth 25 deri në 30%”, tha drejtoresha Vjollca Kadolli.

    “Vetë fakti që nuk kemi furnizimin 100%, tregon se jo të gjitha barnat që duhet të jenë, gjenden në depot e Ministrisë së Shëndetësisë”, tha ajo, pa dashur të komentonte për arsyet e kësaj gjendjeje.

    Në Prishtinë janë disa qendra të mjekësisë familjare dhe, sipas zyrtarëve shëndetësorë, në të gjitha ka mungesë të barnave nga lista esenciale.

    Fatos Aliu, nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në kryeqytet, tha se furnizimi me barna në nëntë muajt e parë të vitit ka qenë mesatarisht 45 për qind.

    Situatë më e rënduar, sipas tij, ishte në tremujorin e dytë kur “furnizimi me barna dhe produkte tjera nuk e kaloi pragun prej 34%”.

    Për shkak të kësaj gjendjeje, Komuna e Prishtinës, përkatësisht Drejtoria për Shëndetësi e saj është detyruar të ndajë mjete këtë vit nga buxheti i saj, për t’i plotësuar sadopak nevojat e pacientëve, tha drejtori Izet Sadiku.

    “Kemi paraparë të shpenzojmë gjysmë milioni euro për barna, me qellim që t’i mbulojmë ato mungesa që janë nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Sadiku për Radion Evropa e Lirë.

    Buxhet shtesë është ndarë edhe nga komuna e Ferizajt, për shkak se përmbushja e listës esenciale të barnave në nëntë muajt e parë të vitit ka qenë pak mbi 30%, ndërsa me material shpenzues rreth 63%.

    Shefja e barnatores së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Elinë Sylaj Lubishtani, tha se furnizimi nga Ministria e Shëndetësisë është duke u bërë çdo tre muaj, për dallim prej viteve të kaluara kur është bërë muaj për muaj.

    “Nga hera e fundit nuk jemi furnizuar me antibiotikët Amokscilin, Claritromicin… as me Cloksacilin, apo pluhur për tretësirë orale”, tha Sylaj Lubishtani, duke numëruar disa nga barnat që mungojnë.

    Gjendje pak më e mirë duket se ishte në Dragash – komunë pranë kufirit me Shqipërinë.

    Sipas autoriteteve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare atje, furnizimi me barna nga lista esenciale ishte 60% në nëntë muajt e parë të këtij viti, kurse me material shpenzues 83%.

    Cila është përgjigjja e Ministrisë së Shëndetësisë?

    Mentor Syla, drejtor i Divizionit të Farmacisë në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se mbi 80% e kontratave për furnizim me barna për nivelin parësor, përkatësisht për qendrat e mjekësisë familjare, janë realizuar.

    “Në këto institucione shëndetësore të nivelit parësor, furnizimi në muajt korrik-shtator ka filluar të përmirësohet dukshëm, për shkak se porositë që i kemi bërë nga kontratat që i kemi lidhur nga qershori për dy vjetët e ardhshëm, kanë filluar të shpërndahen”, tha Syla.

    Sipas tij, vonesa në furnizim me barna mund të këtë me raste, për arsye se furnizuesi ose operatori ekonomik vonon.

    “Ampula dikolofen, për momentin, mungon. Por, për produktet e tjera nuk mund të themi se mungojnë, sepse figurojnë në sistem. Në qendrat e mjekësisë familjare mund të ketë probleme me pjesën e teknikës, sepse i pranojmë kërkesat përmes sistemit. Në momentin që ato [qendrat e mjekësisë familjare] nuk bëjnë kërkesa në sistem, ne nuk kemi mundësi të aprovojmë diçka”, tha Syla.

    Në Ministrinë e Shëndetësisë i thanë Radios Evropa e Lirë, po ashtu, se vitin e kaluar janë ndarë rreth 16 milionë euro për barna dhe materiale shpenzuese për sistemin parësor shëndetësor dhe programe specifike, kurse deri më tash këtë vit janë ndarë 15 milionë euro.

    Si shumë të tjera, mungesa e barnave nga lista esenciale është një problem i vazhdueshëm në shëndetësinë e Kosovës, për të cilin Radio Evropa e Lirë ka raportuar edhe më herët.

    Së voni, REL-i ka marrë vesh jozyrtarisht se autoritetet përgjegjëse ndajnë më shumë mjete për barna më të shtrenjta, për trajtimin e sëmundjeve si kanceri, ndërkohë që ato të listës esenciale mbeten më mbrapa.

    Për më tepër, barnat që qytetarët detyrohen t’i blejnë, nuk kanë çmime të unifikuara në barnatoret e Kosovës.

    Kjo është ngarkesë shtesë për ta, marrë parasysh se paga mesatare në vend është 520 euro, ndërsa pensionet sillen nga 120 deri në 318 euro.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark