
Kryeshefi i Inspektoratit Policorë të Kosovës, Kushtrim Hodaj ka bërë të ditur se përmes një inspektimi që kanë bërë ndaj policëve në të gjitha regjionet kanë vërejtur se një numër i caktuar i rasteve nuk janë regjistruar në sistem gjë që ua ka mundësuar personave në kërkim të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë e Kosovës.
Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Hodaj thotë se të gjeturat kryesore kanë të bëjnë me futjen në sistem të personave që janë në kërkim.
“Inspektorati Policorë gjatë kësaj kohe është duke zhvilluar një inspektim të jashtëzakonshëm duke monitoruar policinë në zbatimin e urdhëresave të gjykatës, jemi në finalizim. Të gjeturat kryesit kanë të bëjnë me futjen në sistem apo në data bazë të personave që janë në kërkim apo parashkrimit të rasteve për personat që janë në kërkim nga gjykata”, ka thënë ai.
Mos futja në sistem e këtyre iu ka mundësuar këtyre personave që të kalojnë lirshëm kufijtë e Kosovës.
“Ka të dhëna për një numër të caktuar të dosjeve që kanë dal informacione që nuk janë fut në sistem ose janë fut më vonese që ka bërë që qytetarët që janë në kërkim të lëvizin lirshëm kufirin”, ka thënë ai.
Intervista e plotë me kryeshefin e IPK-së, Kushtrim Hodaj për Gazetën Insajderi do të publikohet të shtunën me 1 janar.