Në Shqipëri, shumica dërrmuese e rasteve të shtuara me COVID- 19 i përkasin moshave të reja dhe kategorisë mbi 70 vjeç që janë të pavaksinuar.
Drejtuesja e departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino thotë se rritja e rasteve, sidomos në dy javët e fundit, është shqetësuese.
Ndërsa bën thirrje për zbatimin e rregullave antikovid si nga popullata, ashtu dhe institucionet, Bino shprehet se sipas saj, do të duhej që të parashikohen mekanizma detyrues për kryerjen e vaksinës.
Përhapja e koronavirusit ka shënuar një kthesë të fortë negative në këto ditë të muajit gusht, me një rritje të shpejtë të rasteve të reja.
Të dhënat e deritanishme tregojnë për një numër më të lartë se totali i të prekurve në tre muajt pararendës, maj-qershor dhe korrik, të marrë së bashku.
Autoritetet shëndetësore janë të mendimit se shkak është qarkullimi i dendur i variantit ‘Delta’, “për vetë faktin se si rastet janë transmetuar, por dhe gjithashtu nga disa të dhëna sugjeruese laboratorike, për vetë faktin se ne nuk bëjmë sekuencimin gjenetik në vendin tonë”. “Ne vazhdojmë të çojmë mostra dhe nga të dhënat që kemi, pjesa më e madhe janë Delta”, shpjegon drejtuesja e departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino.
Varianti “Delta” u konfirmua në Shqipëri në gjysmën e dytë të muajit korrik, nga mostra të cilat ishin mbledhur që nga qershori.
Pavarësisht rritjes së shpejtë të rasteve, autoritetet nuk duket se mund t’i rikthehen së afërmi ashpërsimit të masave kufizuese, sepse, shprehet Bino, “është akoma herët të flasim nëse kemi të bëjmë me një transmetim të gjerë komunitar. Fakti është që e kemi vënë re në disa qytete të mëdha të përqendruar, por situata do të monitorohet hap pas hapi, për të gjitha llojet e masave kufizuese”.
Nga të infektuarit rishtazi, vetëm një pjesë e vogël rezulton të ketë kryer vaksinimin. “Vetëm 2-3 % janë raste që janë vaksinuar me dy doza dhe vetëm 10 % me një dozë, gjë që tregon qartë se ne kemi një epidemi të pavaksinuarish dhe që vaksinat janë efektive në jetën reale në Shqipëri”, tregon Bino.
Kategoritë më të prekura janë moshat nga 25-34 që nuk janë vaksinuar ose nuk preferojnë të vaksinohen, si dhe ata mbi 70 vjeç që nuk duan të vaksinohen, pavarësisht se siç shpjegon Bino po iu bëhet apel dhe janë në moshat prioritare për t’u vaksinuar.
Që prej fillimit të gushtit ka nisur muaji i hapur për vaksinimin, ndaj të gjithë moshave mbi 18 vjeç. Deri më tani 20 për qind e popullatës ka marrë të dyja dozat, dhe një 5 përqindësh tjetër vetëm njërën dozë. Autoritetet po bëjnë thirrje të përsëritura.
Megjithatë Bino është e mendimit se, “të gjithë fushatat e promovimit dhe ndërgjegjësimit, ezaurohen në një moment të caktuar dhe patjetër duhet të ketë mekanizma detyrues. Unë mendoj se dhe ne duhet të kemi mekanizma detyrues brenda vendit, në mënyrë që numri i vaksinimeve të rritet dhe njerëzit të bëhen më të ndërgjegjshëm”.
“Organet ligjzbatuese, qoftë policia apo inspektoratet, të ndjekin në mënyrë rigoroze zbatimin e ligjit në mënyrë korrekte”, thekson Bino.
Sipas saj, respektimi i rregullave të brendshme është thelbësor, dhe ajo nuk e sheh problematike zgjedhjen për të mos patur kontrolle në kufi për ata që hyjnë në vend, ku pjesë më e madhe janë nga Kosova e Maqedonia e Veriut, dy vende të cilat po përjetojnë një përkeqësim të shpejtë të gjendjes. “Shumë vende ndoqën politika drastike, edhe Tajlanda, apo Kina, që kanë një numër shumë të lartë rastesh. Pra është shumë e vështirë ta mbash këtë lloj virusi jashtë kufijve, me masa drastike kufitare”, shprehet Bino.
Që nga fillimi i pandemisë Shqipëria numëron gati 135 mijë të prekur nga koronavirusi. Por një studim i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik, tregon se në grupet e riskut, siç është personeli shëndetësor, vërehet rritje e antitrupave në 60-70 % të kampioneve, ndërsa në popullatë në 40-50 % të saj.