Si e solli në krye të BQK-së VV-ja, njeriun që dikur e akuzonte se nuk po jep dorëheqje për vjedhjen në Thesarin e Shtetit – Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    Si e solli në krye të BQK-së VV-ja, njeriun që dikur e akuzonte se nuk po jep dorëheqje për vjedhjen në Thesarin e Shtetit

    Insajderi
    09 August 2023 - 16:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me dekretin e presidentes Vjosa Osmanit, sot u zgjodh guvernatori i ri i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili, emri i të cilit jo rrallë herë u lakua në media, por jo për të mirë.

    Ismaili është personi para syve të të cilit iu “avulluan” 2.1 milionë euro Thesarit të Shtetit, pasi që në atë kohë ky i fundit ishte në pozitën e drejtorit, por përveç kësaj parregullsi pati edhe në përzgjedhjen e tij si guvernator i BQK-së.

    Në vazhdimësi mediat kishin raportuar për tërheqjen e Britanisë së Madhe nga monitorimi i këtij procesi për shkak se pa asnjë sqarim publik, pa e parë askush ndonjë vendim, emrat e përzgjedhur në konkursin e parë për guvernator të BQK-së nuk shkuan për shqyrtim në Kuvend.

    Banka Qendrore e Kosovës shpalli konkursin e ri për këtë pozitë, por në listë figuronin emrat e njëjtë.

    Ahmet Ismaili e Lulzim Ismajli ishin dy kandidatët që për herën e dytë me radhë ia kishin mësyrë postit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, raporton Periskopi.

    Neni 110 i Rregullores së Punës së Kuvendit thotë se në raste kur kandidatët nuk i plotësojnë kushtet, atëherë Kryetari i Kuvendit duhet ta njoftojë institucionin në fjalë për këtë fakt. Pra, Komisioni kishte pretenduar se këta anëtarë nuk i plotësojnë kushtet.

    Për këto shkelje letër presidentes Osmani i kishte dërguar edhe ish-guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, ai kishte kërkuar që të mos e dekretojë Ahmet Ismailin si guvernator në BQK.

    Sipas Mehmetit, në gjithë këtë proces kishte shumë shkelje.

    “Shkeljet që kanë ndodhur gjatë procedurës rekrutuese, duke filluar nga ajo që Bordi Drejtues i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës ka shpallur konkursin e dytë për pozitën e njëjtë pa nxjerrë vendimin për anulimin e konkursit të parë, po ashtu diskriminimi dhe pabarazia që ka ndodhë në fazat e procedurës, e vlen të përmendet edhe mosndërmarrja e hapave adekuatë nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me rastin e evidentimit të shkeljeve flagrante dhe mospërfilljes së procedurave të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi e po ashtu tërheqja nga monitorimi i procesit i Komisionit Britanik, duke më lënë pa zgjidhje tjetër, ju drejtohem juve si niveli më i lartë i vendit që të mos e bëni dekretimin e propozuar për Guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës pasi që dekretimi i tij prej anës suaj do të ngarkonte edhe ‘shkeljen’ e radhës në këtë proces”, kishte thënë Mehmeti në letrën drejtuar Osmanit.

    Kritika për Ismailin dikur kishte edhe pushteti i tanishëm, të cilët vjedhjen e dy milion eurove nga thesari i shtetit e kishte quajtur krim të organizuar.

    Si kishte reaguar dikur Vetëvendosje për (mos) dorëheqjen e Ahmeti Ismailit nga pozita e drejtorit pas vjedhjes në Thesarin e Shtetit? 

    Teksa organet kompetente po kryenin punën e tyre, Vetëvendosje në dhjetor të vitit 2020 kishte bërë një reagim në faqen zyrtare në Facebook, duke thënë se askush s’ka dhënë deri atëherë përgjegjësi e as dorëheqje për këtë rast.

    Ky është reagimi:

    “Kur partitë e vjetra kthehen paligjshëm në pushtet, ato përligjin dhe inkurajojnë krimin e organizuar në vend. Kështu kjo qeveri e paligjshme fillimisht nuk e parandaloi, e tash edhe 43 ditë pas ka dështuar të japë edhe përgjegjësinë më të vogël për vjedhjen e organizuar të më shumë se 2 milionë eurove nga kuleta e shtetit.

    Në vend se të forconte institucionet e drejtësisë, ajo e zhbëri procesin e vettingut. Në vend se të luftonte korrupsionin, ajo e zhbëri task forcën antikorrupsion. Në vend se t’i ndëshkojë shkelësit e ligjeve, ajo veçsa po i trimëron ata. Prandaj edhe në vend se të shtiret kinse po qeverisë, ajo duhet të shkojë.”

    Ani pse dikur e kishte kritikuar Vetëvendosje ndryshoj shumë shpejt qëndrimet ndaj Ismailit, me të ardhur në pushtet ai u bë pjesë e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore me vendim të Albin Kurtit.

    Përkundër këtyre fakteve  Ismaili u votua në Kuvend me 13 korrik 2023 për t’u zgjedhur guvernator i BQK-së.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark