Duke mos bërë shumë zhurmë e në mënyrë tinëzare, Lëvizja Vetëvendosje është duke i shpërblyer me pozita të vlefshme militantët partiak.
Një militant nga Gjakova pati fatin që të rehatohet si Drejtor i Qendrës për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë. Fatlumi është, Visar Haxhibeqiri, shkruan Gazeta Insajderi.
Përfshirja e tij në aktivitetet e Vetëvendosjes duket hapur në profilin e tij në Facebook. Ai ka bombarduar profilin me postime në përkrahje të partisë.
Si e bë drejtor i QRTK- Gjakovë, Visar Haxhibeqiri?
Tre muaj më parë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte shpallur konkurs për pozitën e Drejtorit të QRTK- Gjakovë.
Këtë pozitë e “fitoi”, militanti i Vetëvendosjes, Visar Haxhibeqiri, njeriu i afërt me kreun e këtij dikasteri, Hajrulla Çekun.
Se a kanë ndikuar kontributet e tij në të kaluarën në Lëvizjen Vetëvendosje, përgjigjet vetë protagonisti Haxhibeqiri për Gazetën Insajderi.
“Aktivitetet e mija politike me ato Institucionale publike, asnjëherë nuk i kam i ngatërruar”, pretendon ai duke mohuar se ka pasur ndikim në përzgjedhjen e tij.
Dukë na kërkuar që t’i drejtohemi zyrës së personelit pranë MKRS-së për ecurinë e konkursit “ju kisha propozu që për këtë çështje të kontaktoni edhe me zyren e personelit pranë MKRS-së” – Haxhibeqiri nuk sheh asnjë relevancë në lidhjen e tij me VV dhe përzgjedhjen në këtë pozitë.
Sipas tij ai ka qenë pjesë e Institucioneve shtetërore relevante të Teatrit Kombëtar edhe kur Vetëvendosje nuk ishte në pushtet
“Sa i përket, vetëvendosjes, nuk e shoh asnjë relevancë, ngaqë unë kam qenë pjesë e Institucioneve shtetërore relevante të TK edhe kur vetëvendosja nuk ka qenë pjesë e qeverisjes. Aktivitetet e mija politike me ato Institucionale publike, asnjëherë nuk i kam i ngatërruar. E kuptoj qartë ku fillon njëra dhe ku përfundon tjetra”, përgjigjet ai për Insajderin.
Gazeta Insajderi ka dëgjuar këshillën e militantit dhe ka bërë kërkesë në MKRS për të treguar nëse ai i ka plotësuar kriteret e kërkuara.
Përgjigja që mori Gazeta ishte e pritshme. Ata thonë se Visar Haxhibeqiri ishte kandidati më i suksesshëm për këtë pozitë.
“Ju konfirmojmë se kandidati i suksesshëm për pozitën e Drejtorit të QRTK-së në Gjakovë, i ka plotësuar të gjitha kriteret e konkursit, si dhe i ka kaluar të gjitha fazat e rekrutimit, duke u rekomanduar si kandidat i suksesshëm për këtë pozitë nga Komisioni Përzgjedhës”, thuhet në përgjigjen e MKRS.
Piskamat e Haxhibeqirit si militant i Vetëvendosjes në “Facebook”
Visar Haxhibeqirit i është “shqyer gurmazi” duke bërë thirrje për mbështetje të partisë së tij Lëvizjes Vetëvendosje për të ardhur në pushtet.
Këto thirrje ai i bëri kryesisht në Facebook. Postime pafund në përkrahje të liderit të tij Albin Kurtit, e edhe ministrit që ia pa hairin, Hajrulla Çekut.
Haxhibeqiri shihet se ka qenë aktivist i zellshëm i partisë, duke marrë pjesë në shumë aktivitete të Lëvizjes Vetëvendosje.
Madje, një foto që e kishin bërë enkas për portalet, e kanë postuar pasi erdhi në këtë pozitë. Në këtë foto shihet edhe ministri Liburn Aliu.
Dyshimet për dallavere me konkursin
Ekziston dyshimi se ka pasur dallavere me konkursin e hapur për pozitën e Drejtorit të QRTK- Gjakovë.
Konkurs i shpallur në faqen elektronike të Ministrisë me numër reference RN00008814 dhe Kodi:RCP0002583 te protokollit Nr.1615/2022/02 të datës 14.04.2020, Titulli: Drejtor ne QRTK-Gjakovë nuk është i qartë.
Në konkurs është kërkuar që shkollimi të jetë Arkitekt-Restaurator Konservator, (përparësi) Diploma post diplomike (Master )ne fushën e trashëgimisë kulturore.
Nuk dihet mbi çfarë kriteresh është mbështetur ky konkurs ku janë kërkuar vetëm këto dy kualifikime shkollore.
Linku i plotë: https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Konkursi_per_poziten_Drejtor_i_QRTK_Gjakove.pdf
Janë hequr kualifikimet apo profilet tjera që janë kërkuar në të gjitha konkurset e mëparshme si: Histori, Arkeologji, Histori e Artit, Etnografi, Juridik etj., dhe të gjitha profesionet në bazë te Organogramit.
Kriteret e kërkuara aty nuk janë të njëjtat kritere që janë kërkuar në konkurset e kaluara për pozitën e drejtorit.
Shembull:
Linku i plotë: https://www.mkrs-ks.org/repository/docs/Drejtor_ne_QRTK_Gjakove.pdf
Sipas konkursit, Stafit të brendshëm u është pamundësuar konkurrimi për këtë pozitë pasi që është përzgjedhur një drejtor i jashtëm.
Duket se nuk janë respektuar procedurat e parapara ligjore që sipas tyre shpallja e konkursit për herë të parë duhet jetë rekrutim i brendshëm.
Po ashtu duke krahasuar këto dy konkurse, është ndërruar kriteri i provojës, duke i kërkuar 3 vjet përvojë menaxheriale, derisa në konkurset tjera ka qenë minimumi 5 deri ne 7 vjet përvojë pune.
/Gazeta Insajderi/