Si është jeta për ukrainasit në zonat e pushtuara? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Si është jeta për ukrainasit në zonat e pushtuara?

    Insajderi
    07 March 2025 - 16:26
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Rreth 20% e territorit të Ukrainës, pjesë e të cilit janë me mijëra fshatra dhe qytete, është nën kontrollin e Rusisë. Jeta ka ndryshuar në mënyrë dramatike për shumë ukrainas pas sulmit të Rusisë dhe disa vende – si qyteti Bakhmut, Chasiv Yar dhe Vovchansk – u shkatërruan pothuajse plotësisht. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katerina Besedina njofton se si po përballen disa ukrainas me këtë përmbysje të jetës së tyre.

    Qyteti Mariupol, me gjysmë milioni banorë, u shkatërrua tre vite më parë nga forcat ruse dhe vazhdon të jetë i pushtuar.

    Yevhen Tuzovi jetonte përpara luftës në Mariupol, ku ishte sportist dhe figurë e njohur publike në qytetin bregdetar.

    “Mariupoli ishte një qytet i bukur. Tani kanë mbetur vetëm rrënoja…”, thotë ai.

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se qeveria e tij nuk ka hequr dorë nga Mariupoli. Në fjalimin e tij drejtuar vendit për Vitin e Ri, ai tha se: “Nuk dorëzojmë çka është e jona. Dhe… nuk i harrojmë njerëzit tanë. Ata që janë në robëri. Dhe do të luftojmë për çdo person që është fatkeqësisht atje”.

    Zoti Tuzov nuk banon më në Mariupol. Ai tashmë jeton rreth 300 kilometra më në veriperëndim, në Dnipro, por mban kontakte me ukrainas që jetojnë në zonën e pushtuar.

    Ai thotë se rusët kanë filluar tashmë të ndërtojnë në Mariupol dhe se pjesë të qytetit janë bërë sheshe ndërtimi. Shtëpitë e vendasve janë zëvendësuar me komplekse apartamentesh luksoze që nxirren në shitje. Siç kuptohet nga videot e publikuara në mediat sociale, disa banorë ndihen të dëbuar.

    “Shtëpitë na janë prishur dhe në vend të tyre po ngrihen apartamente që do të shiten. Prej tre vitesh tashmë kemi jetuar me qera, apo në konvikte dhe vendstrehime. Janë me dhjetëra mijëra si ne”, thotë një grua në një video.

    “Shtëpitë në bregun e majtë janë afër detit. Është një zonë e bukur që disa njerëz duan ta marrin për vete, për të ndërtuar apartamente dhe për t’i shitur. Dhe ne do të përfundojmë në rrugë!”, thotë një banore.

    Zoti Tuzov thotë se shumë rusë të ardhur rishtazi po blejnë prona me çmim të ulët në bregdet.

    “Sepse për rusët që vijnë le të themi nga Moska apo Shën Petersburgu, çmimet janë çmendurisht të lira… Por duhet ta kenë parasysh se në oborrin e godinës është varrosur ish-pronari”, thotë zoti Tuzov.

    Forcat ruse gjithashtu pushtuan qytetin e Melitopolit në rajonin Zaporizhia në fillimet e sulmit ndaj Ukrainës. Që nga ajo kohë, banorët kanë jetuar me frikë të përhershme, thotë ish-banorja Olha Leontieva.

    “Ata që qëndruan gjatë agresionit menduan se do të çliroheshin së shpejti… Kur flas tani me disa prej tyre, kanë ende shpresë dhe besim, por kanë frikë të flasin për këtë gjë – e dinë se shumë telefona përgjohen… Kanë shumë frikë!”, thotë ajo.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark