Veç gjashtë zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ishin në gjendje t’i harxhojnë 450 euro për dreka dhe darka për dy ditë qëndrim në hotelin me pesë yje “Hotel Magra Austria” në Bogë të Pejës.
Gazeta Insajderi ka siguruar shpenzimet e MKRS-së për periudhën janar-tetor 2023 për dreka dhe darka, përmes qasjes në dokumente publike.
Në një nga sqarimet e MKRS-së për shpenzimet në darka dhe dreka, thuhet se gjashtë zyrtarë të ministrisë i harxhuan 450 euro për vetëm dy ditë qëndrimi në hotelin luksoz në Bogë të Pejës.
Sipas sqarimit të ministrisë, zyrtarët po qëndronin atje për një punëtori dy ditore për koncept dokumentin e Sportit ne draftin e Strategjisë për Sport.
“Me datën 13 dhe 14.05.2023 në Hotel Magra Austria është mbajtur nje punetori 2 ditore nga Kabineti i Ministrit per Koncept Dokumentin e Sportit ne draftin e Strategjise per Sport. Shpenzimet e këtij takimi janë në shumën 450.30 € ku pjesemarres ishin 6 persona”, thuhet në të dhënat që MKRS ia ka dërguar Insajderit.
Kabineti i ministrit kishte mbajtur punëtori tre-ditore edhe për rregulloren e brendshme për Kulturë, Trashëgimi Kulturore, Rini dhe Sport. Ajo po mbahej në restaurant ‘Vila Germia’, ku për tri ditë kabineti i Çekut kishte harxhuar 351.80 euro.
MKRS njofton se dreka kishte shtruar edhe për futbollisten me famë botërore, Kosovare Asllanin, që i kishte kushtuar 194.60 euro.
Dreka ishin shtruar edhe me rastet e vizitave të delegacioneve nga Shqipëria dhe mysafirëve nga Kroacia.
Nga shpenzimet që ka siguruar Insajderi, është marrë vesh se ‘rekordmeni’ i kostove totale për dreka dhe darka është vetë ministri Hajrulla Çeku, i cili për dhjetë muaj ka shpenzuar 3,191.30 euro. /Insajderi.org/