×
  • Lajme
  • Analiza

    Si i planifikonte grupi i Gjurajt sulmet terroriste në Kosovë? Insajderi sjell detajet

    Insajderi
    23 December 2022 - 17:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Më 10 tetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës kishte arrestuar pesë persona nën dyshimin se po planifikonin sulme terroriste në Kosovë.

    Njëri prej tyre, që konsiderohet të jetë kryesori i këtij grupi është Ardian Gjuraj, ndaj të cilit sot Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë.

    Në aktin akuzues të përfshirë janë edhe Ergim Syla, Nehrudin Skenderi, Mentor Bellaqa dhe Shkondran Krasniqi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    Për çka akuzohet grupi i Gjurajt?

    Të pandehuri Gjuraj, Syla, Skenderi dhe Bellaqa, sipas Prokurorisë, gjatë periudhës kohore nga muaji mars 2021 e deri më 10.10.2021, fillimisht kanë bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, duke kontaktuar me një person me gradë të lartë të organizatës terroriste ISIS – Zyra për Marrëdhënie me jashtë, janë angazhuar për sigurimin e armatimit të llojeve të ndryshme.

    Me këto veprime të pandehurit e lartcekur, kanë kryer veprën penale ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’.

    Ndërkaq, të pandehurit Syla dhe Gjuraj, sipas Prokurorisë, pa autorizim, kanë siguruar dhe mbajtur në kontroll duke i fshehë dhe groposur në bure plastike e të izoluara mirë arsenal të armëve të zjarrta dhe municion të llojeve të ndryshme.

    Me këto veprime të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’.

    Sa mund të dënohen nëse shpallen fajtorë?

    Veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit përfshijnë dënime deri në pesë vjet burgim.

    Vepra penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, sipas Kodit Penal dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.

    Vepra tjetër penale për të cilën dyshohen të arrestuarit është “Kryerja e veprës terroriste”, vepër kjo që dënohet me jo më pak se pesë vjet burgim.

    Ndërsa vepra tjetër për të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon të arrestuarit, “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, dënohet me gjobë deri në 7,500 euro dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

    Të arrestuarit dyshohen po ashtu për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Për këtë vepër penale, Kodi Penal i Kosovës thotë se kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind 7,500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

    Gjuraj ishte gjykuar edhe më herët për terrorizëm

    Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Ardian Gjuraj për dyshimet se gjatë viteve 2014-2015, duke jetuar në Gjermani, ishte bërë përkrahës i ideologjisë së grupit militant Shteti Islamik dhe babai i tij e kishte paraqitur në polici, ndërsa Policia e Gjermanisë më 18 prill 2015 e kishte deportuar atë në Kosovë.

    Në vitin 2018 ai ishte dënuar me 1 vit e 5 muaj burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

    Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore i ishte llogaritur edhe koha sa Gjuraj kishte kaluar në paraburgim dhe ai nuk kishte nevojë të shkonte në vuajtje të dënimit.

    Por, rasti ishte apeluar në Gjykatën e Apelit e cila në fund e kishte liruar atë nga akuzuat për vepra penale që lidheshin me terrorizëm.

    Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë dhe prokuroria nuk kanë pasur prova të drejtpërdrejta, por vetëm prova rrethanore, të cilat nuk kanë vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari ka kaluar kufirin në Siri ose të jetë bashkangjitur ndonjë grupit terrorist.

    Lexo edhe:

    Lidhja e kosovarëve me organizata terroriste

    Që nga koha e shpërthimit të konfliktit të armatosur në vitin 2011, mbi 350 kosovarë udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut.

    Pjesa më e madhe burra të cilët iu bashkuan organizatave terroriste atje, kryesisht grupit militant, Shteti Islamik.

    Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës mbi 80 kosovarë u vranë në zonat e luftimeve.

    Në grupin e kosovarëve që udhëtuan drejt Sirisë përveç burrave kishte gra dhe fëmijë.

    Kosova u bë një ndër vendet e para në botë që riatdhesoi në mënyrë të organizuar qytetarë të saj nga kampet e Sirisë.

    Në muajin prill të vitit 2019 në një operacion të fshehtë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u riatdhesuan 110 kosovarë në mesin e tyre, katër luftëtarë të IS-it, 32 gra dhe 74 fëmijë.

    Në një operacion tjetër të riatdhesimit, më 17 korrik 2021, institucionet e Kosovës riatdhesuan 11 shtetas nga zonat e konfliktit në Siri.

    Për këtë operacion, SHBA-ja e cilësoi Kosovën si vend lider në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.

    “Kthimi i këtyre shtetasve demonstron vullnetin e Kosovës që të marrë përgjegjësi për shtetasit e saj, teksa vendos shembull edhe për të tjerët. Kosova është lidere në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, u tha në një postim në Twitter të Ambasadës amerikane në Prishtinë i publikuar më 17 korrik 2021.

    Deri më tani nga Siria në Kosovë janë kthyer mbi 250 kosovarë.

    Autoritetet në Prishtinë pretendojnë se në Siri vazhdojnë të mbesin ende 96 qytetarë nga Kosova.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark