Pas 5000 helmetave në fillim të sulmit të Rusisë, tani në Ukrainë janë tanket dhe mbrojtja kundërajrore gjermane. Si ka ndryshuar qëndrimi gjerman ndaj luftës?
Njerëzit në Gjermani do të duhet të mësohen me militarizimin e mëtejshëm të jetës së përditshme vitin e ardhshëm. Për këtë janë të bindur ekspertët e sigurisë në vend. Çështjet e luftës dhe të mbrojtjes do të përcaktojnë gjithnjë e më shumë vendime politike. Arsyeja është se rreziku i një sulmi rus në territorin e NATO-s është bërë më real që nga fillimi i agresionit të madh rus të Ukrainës dy vjet më parë.
Kjo shihet që nga ndërtimi i rrugëve, një shembull nga të shumtët, thotë politologu Christian Mölling në një intervistë për DW. “Me siguri duhet të rinovojmë rrugët, duhet të rinovojmë urat”, thotë ai. Shumë rrugë dhe ura në Gjermani nuk ishin projektuar për të përballuar barrën e tankeve dhe pajisjeve të tjera ushtarake.
Mölling drejton Qendrën për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP). Së fundmi zgjoi vëmendjen e Berlinit me një analizë se, në skenarin më të keq, NATO-s i duhen pesë vjet për t’u riarmatosur. Përndryshe, frikësimi përmes epërsisë ushtarake ndaj Rusisë nuk do të ekzistonte më.