Si na e kanë “markuar” trurin, Apple dhe Nike - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Si na e kanë “markuar” trurin, Apple dhe Nike

    Insajderi
    21 December 2024 - 14:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Markat e famshme si Coca-Cola, Tylenol dhe Levi’s janë më shumë se thjesht pije, ilaçe apo xhinse; ato përfaqësojnë histori dhe identitete që konsumatorët zgjedhin t’i përqafojnë dhe përvetësojnë. Por çfarë ndodh në trurin tonë kur bëjmë këto zgjedhje? Si mundet një logo ose një histori që na tregon një markë, të ndikojë kaq thellë në sjelljen tonë?

    A jemi konsumatorë të arsyeshëm?

    Sipas Americus Reed II, profesor i marketingut në Universitetin e Pensilvanisë, ideja se konsumatorët janë plotësisht të arsyeshëm bie poshtë, kur shohim mënyrën si funksionojnë markat. Një studim i Universitetit Dukes tregon fuqinë e marketingut subliminal: pjesëmarrësit që panë logon e Apple dolën më mirë në teste krijuese krahasuar me ata që  u ishte vendosur përpara syve logoja e IBM.

    “Apple e ka përsëritur vazhdimisht dhe ka ngulitur historinë e vet si markë për njerëz kreativë dhe modernë,” shpjegon Reed. Kjo histori formon perceptimin tonë, duke ndikuar mbisjelljen tonë përtej pikës së blerjes.

    Markat si pjesë e identitetit tonë

    Kur zgjedhim një markë, ne në fakt ndërtojmë një identitet. Veshjet që zgjedhim, këpucët, madje edhe teknologjia që përdorim, janë pasqyra të asaj që dëshirojmë të tregojmë për veten tonë.

    Reed shpjegon se Nike dhe Under Armour, për shembull, kanë mesazhe të ndryshme: Nike lidhet me performancën dhe suksesin, ndërsa Under Armour përfaqëson luftën e të dobëtit. Kur zgjedhim midis tyre, ne shprehim një aspekt të identitetit tonë.

    Më tej, marrëdhënia me një markë mund të thellohet deri në atë pikë sa ta ndjejmë atë si pjesë të familjes. Kjo lidhje është aq e fortë sa sulmet ndaj një marke na duken si sulme personale.

    Ç’ndodh në trurin tonë

    Michael Platt, profesor i neuroshkencës dhe marketingut, ka studiuar sesi ne i perceptojmë markat. Duke përdorur teknologjinë MRI, Platt dhe ekipi i tij zbuluan se përdoruesit e iPhone kishin një reagim empatike ndaj markës Apple, i ngjashëm me atë që shfaqin ndaj familjarëve.

    Nga ana tjetër, përdoruesit e Samsung nuk shfaqën asnjë ndjenjë të fortë pozitive ose negative për markën e tyre. Përkundrazi, ata kishin një reagim të kënaqur kur dëgjonin lajme negative për Apple. “Kjo tregon se Samsung po blihet nga konsumatorët thjesht sepse ata urrejnë Apple,” thotë Platt.

    Përtej ndikimit të padukshëm

    Shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për ndikimin e fuqishëm që markat kanë mbi zgjedhjet e tyre. Reed thekson se shumica e konsumatorëve zgjedhin produkte sepse markat ofrojnë një vlerë të tërthortë të shprehjes vetiake.

    Ndërsa ndikimi i markave bëhet më i qartë, Platt paralajmëron mbi nevojën për të reflektuar për pasojat etike, ligjore dhe shoqërore të këtyre metodave të marketingut.

    Çfarë mund të bëjmë ne si konsumatorë?

    Të qënit të vetëdijshëm për ndikimin që markat kanë mbi ne është hapi i parë për të bërë zgjedhje të informuara. Pyetja “Pse po e blej këtë produkt?” mund të ndihmojë në ndërgjegjësimin mbi rolin që markat luajnë në jetën tonë.

    Për shumë njerëz që pretendojnë se nuk janë të lidhur me markat, Reed ka një perspektivë interesante: “Ata gjithashtu kanë një markë, thjesht është një markë kundër markave.” Markat janë bërë shtylla të identitetit tonë, duke zëvendësuar shpesh komunitete apo institucione tradicionale.

    Në një botë ku markat janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë, është e rëndësishme të reflektojmë mbi marrëdhënien me to. Markat nuk janë thjesht produkte; ato janë tregime që ndikojnë mënyrën si e shohim veten dhe të tjerët. / bota.al

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark