×
  • Lajme
  • Analiza

    Si nuk i kreu punë Albin Kurtit fitorja e madhe si malet e Sharrit më 14 shkurt?

    Insajderi
    14 February 2024 - 15:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Po na duhet një fitore e madhe dhe e fortë si Malet e Sharrit”. Kështu thoshte Kurti në fushatën zgjedhore para zgjedhjeve parlamentare në Sharr. Aty bënte apel që të dilnin të votonin për të të gjitha grupmoshat, sepse u thoshte se i nevojiteshin 61 deputetë. Ndonëse tre deputetë më pak, Vetëvendosja arriti që ta marrë “fitoren sa Malet e Sharrit” me 50 për qindëshin e famshëm. Por, qeverisja s’ishte e madhe dhe e fortë sa Malet e Sharrit. Për një zyrtar të lartë amerikan dje, Qeveria Kurti u përshkrua si “qeverisje e dobët”.

    Gazeta Insajderi

    “Po na duhet një fitore e madhe dhe e fortë si Malet e Sharrit. S’ka njeri në Kosovë që nuk e di se kush del i pari përveç neve. Por, fitorja në këto zgjedhje nuk është vetëm me dalë i parë. Po na duhen 61 deputetë. E për 61 deputetë e përpjetë, duhet me dalë në zgjedhje secili prej juve. Edhe ai që i bën 18 vjet me 14 shkurt edhe ai qe i ka 98 vjet me 14 shkurt” – këto ishin më saktësisht fjalët e kryeministrit në fushatën që e bënte në Dragash.

    Fitorja e madhe dhe e fortë erdhi. Por, qeverisja s’ishte bash e fortë. Të paktën kështu ishte konstatimi i djeshëm i ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Azinë, James O’Brien. Ai këtë e tha duke komentuar mënyrën e marrjes së vendimeve “në mes të natës”.

    “Asociacioni do ta zgjidhte këtë problem sepse do të qartësonte çështjen e parave që dërgohen dhe qëllimet për të cilat do të përdoreshin. Ka mënyra tjera për ta siguruar këtë qartësi, përfshirë përmes dialogut, përmes konsultimeve joformale, ashtu si shtetet moderne u japin përgjigje këtyre çështjeve. Jo duke shpallur vendime në mes të natës pasi partnerët tuaj më të afërt ju thonë se kjo është ide e keqe dhe qeverisje e dobët”, deklaroi ai në edicionin shqip të Zërit të Amerikës.

    O’Brien po ashtu ngjalli debat me një deklaratë të tij për raportet e Qeverisë Kurti me SHBA-në. Zyrtari i lartë amerikan tha se me vendimin për rregulloren e BQK’së, Qeveria Kurti vuri në pikëpyetje partneritetin me Amerikën.

    “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, deklaroi ai.

    Ai këto i tha vetëm një ditë para përvjetorit të fitores në zgjedhjet parlamentare të VV’së.

    Çka (s)bëri Qeveria Kurti me fitoren plebishitare?

    Drejtësia dhe punësimi. Dy elementet që kryeministri Kurti i vendoste përpara dialogut. Reformat në drejtësi prezantoheshin përmes vettingut dhe Byrosë së Konfiskimit të Pasurisë së Paluajtshme.

    Kushtetuesja veçmë i ka dhënë dritën e gjelbër disa projektligjeve për Vetting-un. Megjithatë, pushtetarët janë ndarë të pakënaqur, meqë Komisioni i Venecias ua ka kthyer mbrapsht idenë e rivlerësimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç premtonte VV’ja. Kësisoj, vetting-u edhe nëse bëhet, do të bëhet vetëm për pozita të larta të sistemit të drejtësisë.

    Këtë së fundmi e ka bërë të ditur edhe vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    “Ne kemi pas propozimin që të ketë Vetting për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, jo vetëm për nivelet e larta të sistemit të drejtësisë dhe këtë nuk e ka pranuar Komisioni i Venecias sepse edhe në takimet që kemi pasur me raportuesit të cilët kanë qenë të angazhuar për trajtimin e këtyre amendamenteve, e kanë parë si problem modelin e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Haxhiu së fundmi në një intervistë.

    Ndërkaq, Ligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në vitin e tretë të mandatit qeverisës, ende po pret shqyrtimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Ndryshe nga realiteti, në programin e saj katërvjeçar, Qeveria Kurti premtoi kompletimin e kornizës së nevojshme ligjore për realizmin e procesit të vetting-ut.

    Kritikë të madhe ndaj Qeverisë pati edhe në fushën e ekonomisë. Sidomos në investimet kapitale. Për ta simbolizuar mungesën e tyre, opozitë, shoqëri civile e qytetarë u tallën me urën e Saradranit të Istogut me gjatësi tri metërshe.

    Problematikë tjetër që preku xhepat e qytetarëve ishte edhe inflacioni. Në shtator të vitit që shkoi shkallja e inflacionit figurone 4.2 për qind. Tash ka pësuar rënie, por jo domosdo edhe çmimet për produktet bazike.

    Sa u përmbush planprogrami qeverisës?

    Një nga premtimet kryesore të kësaj qeverie është Fondi Sovran. Ligji për të është miratuar në Kuvend, ndonëse institucioni ashtu siç është paraparë në planprogramin qeverisës është larg formimit. Përbrenda këtij premtimi, Qeveria Kurti ka paraparë edhe shuajtjen e Agjencisë Kosovare për Privatizim, gjë që s’ka ndodhur.

    Fondi Sovran mund të mos krijohet fare, meqë opozita ka paralajmëruar se ligjin për të do ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

    Një premtim tjetër ka qenë edhe themelimi i Bankës Zhvillimore të Kosovës, si mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat. As kjo s’është themeluar nga Qeveria Kurti për këto tri vite.

    “Po ashtu, do të themelojmë Bankën Zhvillimore të Kosovës. Banka Zhvillimore do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar”, thuhet në planprogram.

    Si për ironi, Qeveria ka premtuar Grantin e Katërt për autonomi në investime kapitale. Mirëpo, as ky institucion s’është themeluar, e as s’iu ka siguruar buxhet komunave për këtë fushë.

    “Do t’u mundësojmë komunave autonomi për investime kapitale, nëpërmjet Grantit të katërt. Do të hartojmë kornizën ligjore, ku do të vendosim kriteret profesionale, të cilat u mundësojnë komunave të konkurrojnë me idetë dhe projektet e tyre për zhvillim të gjithanshëm, në sektorë si turizmi rural, inovacioni, sportet, trashëgimia kulturore, arti, infrastruktura publike, sistemet e ngrohjes qendrore, furnizimi me ujë të pijshëm, mbarështimi dhe ripërtëritja e hapësirave të dëmtuara dhe trajtimi i ujërave të zeza. për ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët. Për të arritur këtë, do të hartojmë Ligjin për Grantin e Katërt”.

    Qeveria në krye me Kurtin pos tjerash ka premtuar edhe themelimin e Gjykatës së Punës dhe atë Administrative. Mirëpo, asnjëra nga to s’është themeluar. Tek sot në mbledhjen e Qeverisë është miratuar Projektligji për Gjykatën Administrative.

    Një premtim i çuditshëm, i cili është larg realizimit, është dhënë në fushën e arsimit. Në planprogram, Qeveria Kurti iu premton mësimdhënësve edhe mundësi për banim.

    “Në arsimin parauniversitar logjika gjuhësore, logjika matematikore dhe mendimi kritik do të jenë pjesë e praktikave të mësimdhënies në të gjitha nivelet. Do të ofrojmë në gjithë vendin shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Parakusht për rritjen e cilësisë në arsim është edhe mbështetja e mësimdhënësve në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësimdhënësve. Do të krijojmë bibliotekat e mësimdhënësve duke i pajisur ato me literaturën relevante dhe të kohës. Do të ofrojmë edhe banimin për mësimdhënësit, me kosto të përballueshme. Në bashkëpunim me mësimdhënësit do të sigurojmë një model të vlerësimit dhe shpërblimit të performances”, precizohet saktësisht në planprogram.

    Një fjali e çuditshme për koordinimin e ngushtë me SHBA’në figuron në planprogramin qeverisës.

    “Përveç rolit ndërmjetësues të Bashkimit Evropian, qeveria e Kosovës e sheh si shumë të rëndësishëm edhe koordinimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark