
“E kam njoftuar disa herë me shkrim Ministrinë e Punëve të Jashtme që Prindon Sadriu nuk po e kryen punën siç duhet”, kështu ka thënë për InDoks, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.
Dedaj ka akuzuar Ministrinë e Punëve të Jashtme e Presidencën e Kosovës për favorizime ndaj bashkëshortit të presidentes, Vjosa Osmanit, Prindon Sadriut.
Ai thekson se shkarkimi i tij u bë pikërisht për t’i liruar udhë Prindon Sadriut.
“Më ka ardhë vendimi që brenda ditës me u kthy, kjo është një skandal që i ka tronditë autoritetet e Maqedonisë së Veriut ku kam shërby në mënyrë dinjitoze pa asnjë vërejtje asnjë gabim, dhe e kam forcu imazhin e Kosovës edhe në kohë të pandemisë, kur kolegët e mijë diplomatë me muaj të tërë s’kanë ardhur fare në Shkup e pagat i kanë marrë, e posaçërisht bashkëshorti i presidentes, Prindon Sadriu me muaj të tërë nuk ka ardhur fare në Shkup”, ka thënë ai.
Sipas Dedajt, zëvendës shef i misionit në vendin fqinj, Prindon Sadriu asnjë natë të vetme ska qëndruar në Shkup, rrjedhimisht është e padrejt që ai të udhëheq tani me këtë ambasadë.
“Prej dy vit e gjysmë sa është në Shkup asnjë natë nuk ka fjetur në Shkup, kjo nënkupton se diplomanti është i obliguar të banojë në vendin ku shërben sepse jemi sikur policia, sikur zjarrfikësit 24h duhet me qenë online, çka do që ndodhë më qytetarët e Kosovës na duhet me u lajmëru në vendin e ngjarjes, mirëpo ai kurrë ska ardhë dhe ai e dinë pse ka pasur privilegjet nga Prishtina dhe i ka keqpërdorë dhe kjo është çështje e tyre dhe skam dashtë me u marrë. E kam njoftuar me shkrim ministrinë e Punëve të Jashtme s’kanë bë asnjë reagim dhe është problem i tyre nuk merrem shumë me atë pjesë”, është shprehur ai.
Ish-ambasadori e cilësoi krim shkarkim e tij në atë mënyrë çfarë ndodhi.
“Në fakt ai ka ardhë në punë kur ka dashtë, se ka respektu orarin e punës, kur ka dashtë ka ardhë për Prishtinë dhe është çështje e tyre, e imja si ambasador ka qenë me njoftu – unë kam pasë marrëdhënie të mira me të gjithë – marrëdhënie kolegiale sepse jam institucionalist tash e 30 vite – mirëpo shkarkimi imi ishte një krim, ishte i paparë në kanalet e diplomacisë – bile se thanë me 31 gusht do t’i kenë ambasadorët e rinj”, shtoi ai.
Deri tani nuk është përmendur ndonjë emër, i cili potencialisht do të udhëhiqte ambasadën e Kosovës në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla deklaroi se shkarkimi i ambasadorëve të emëruar politikisht është vetëm një hap drejt reformave që do të bëjnë në shërbimin diplomatik.
“Në javët në vijim do të bëhet përzgjedhje e ambasadorëve të rinj, si dhe do të vazhdojë reforma. Reforma është e vonuar, kjo po përgatitet në mënyrë serioze”, deklaroi ajo derisa sot jemi edhe 8 ditë në përfundim të muajit shtator dhe ende nuk ka emërim të ambasadorëve të rinj.
Siç ka mësuar Insajderi tanimë pesë emra, të ambasadorëve politikë kanë shkuar në zyrën e presidentes. Bëhet fjalë për Ilir Kapitin, i cili pritet të emërohet ambasador në Angli, Martin Berishajn në Kroaci, Mehdi Halimi në Francë, Dren Doli në Holandë dhe Xhabir Hamiti në Emiratet e Bashkuara./Insajderi.org
Lexo edhe: