Ndërhyrjet politike dhe akuzat e vazhdueshme për ndikim kanë ngritur shqetësime të mëdha mbi pavarësinë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI). Në muajt e fundit, figura të lidhura me Vetëvendosjen janë përfshirë në polemika dhe përplasje të drejtpërdrejta me zyrtarët e AKI-së, duke hedhur dyshim mbi funksionimin e institucionit që ka për detyrë të mbrojë sigurinë e vendit. Që nga pengimi i shefit të AKI-së për të raportuar në komisione parlamentare deri te akuzat për përfshirje në raste të ndjeshme si ai i Astrit Deharit, AKI-ja gjendet në qendër të një beteje politike që po dëmton imazhin e saj në publik.
Gazeta Insajderi ju sjell disa prej deklaratave të zyrtarëve të VV’së.
Përmendja e AKI-së në lidhje me lajmin e “Slobodna Bosna” nga Rilind Gërvalla
Rilind Gërvalla, drejtori i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) dhe ish-anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, së fundmi ka bërë një deklaratë që ngjalli reagime të shumta. Duke iu referuar lajmit të “Slobodna Bosna” që përfshinte dy media kosovare, Gërvalla pranoi se gjatë një mbledhjeje të Bordit të RTK-së përmendi Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI) “rrëshqimthi”.
Ai siguroi se AKI nuk kishte ndikim në publikimin e lajmit, por shfaqi shqetësimin se situata po keqpërdoret për të sulmuar tinëzisht AKI-në.
“E ndiej siklet dhe faj kur shoh se si keqpërdoret ajo aferë për të ushtruar qitje tinzare kundër AKI-së”, tha ai, duke shprehur keqardhje ndaj organeve të sigurisë që sipas tij po goditen për këtë çështje.
Pengimi i raportimit të shefit të AKI-së nga Salih Zyba
Një tjetër rast që ngre shqetësime për ndërhyrjen e Vetëvendosjes ndaj AKI-së ndodhi ditë më parë në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, shprehu pakënaqësinë e tij ndaj drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti, pasi ky pranoi të raportonte para Komisionit lidhur me dy çështje: përndjekjen e dyshuar të gazetarëve dhe ndikimin e Dejona Mihalit në institucione.
Zyba dhe disa deputetë të tjerë të Vetëvendosjes e cilësuan mbledhjen si të paligjshme dhe e lëshuan atë.
“Cili është presioni i kryetares së komisionit nga kush, e ke thirre mbledhje me propagande të sms-ave”, tha Zyba para se ta lëshonte bashkë me kolegët e partisë, mbledhjen.
Edhe deputeti Arbër Rexhaj tentoi t’i jap leksion drejtorit të AKI-së duke thënë se “nuk ka të drejtë të qëndrojë brenda sepse mbledhja nuk filloi dhe nuk është votuar as rendi i ditës”.
Kryetarja e Komisionit, Ganimete Musliu, konfirmoi se Zyba bëri “presion direkt” ndaj Ajetit për të mos raportuar.
Ndërkohë, Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba është vërsulur me “gjuhë trupore dhe verbale agresive” ndaj kryetares së Komisionit, Ganimete Musliu dhe shefit të AKI-së.
“Erdhi me një gjuhë trupore dhe verbale agresive ndaj kryetares së Komisionit dhe drejtorit të AKI-së duke i thënë se t’i do të japësh llogari që po qëndron këtu’. Ky ishte kërcënim e shantazh”, tha Gashi
Rasti Dehari dhe përfshirja e AKI-së sipas Sami Kurteshit
Përfshirja e AKI-së në një rast të ndjeshëm, siç është rasti Dehari, është ngritur në nivel publik nga Vetëvendosje. Deputeti Sami Kurteshi akuzoi AKI-në për përfshirje në ngjarjen që çoi në vdekjen e Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren në vitin 2016.
Kurteshi deklaroi se urdhrat për këtë çështje vinin nga nivelet e larta shtetërore, duke akuzuar institucionet, përfshirë AKI-në, për inskenim të rastit dhe për zvarritje të qëllimshme të procesit.
“Urdhri ka qenë nga maja e shtetit. Fatkeqësisht nga presidenti i vendit dhe kryekuvendari. Që edhe në mjete të informimit e kanë pranuar që është vrasje, rasti i Astrit Deharit. Ata kanë dhënë urdhër të drejtpërdrejtë veglave të tyre të Gjykatë, Prokurori, AKI, e Polici për me inskenu tërë rastin”, thoshte Kurteshi.
Pretendimet për ndikimin e shefit të AKI-së në Gjykatën Kushtetuese
Një tjetër akuzë e rëndë erdhi në prill 2023, kur u raportua se shefi i AKI-së, Petrit Ajeti, kishte ndërhyrë në Gjykatën Kushtetuese për të ndikuar në një vendim që mund të kishte rezultuar në rrëzimin e presidentes Vjosa Osmani.
Raportohej se Ajeti i kishte dorëzuar kryetares së Gjykatës Kushtetuese një memo që përmbante të dhëna për përfshirjen e dyshuar të gjyqtarëve në aktivitete kriminale, me qëllimin për t’i shantazhuar ata.
Ky pretendim u mohua nga institucionet përkatëse, dhe presidentja Osmani vazhdon të mbajë postin e saj.
Këto janë disa prej rasteve që ilustrojnë shqetësimet për tendencat e ndërhyrjes së Vetëvendosjes në punët e Agjencisë për Inteligjencë, duke ngritur pyetje mbi pavarësinë dhe funksionimin e këtij institucioni kyç për sigurinë e vendit.
Petrit Ajeti u emërua drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë në prill të vitit 2021, nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Në njoftimin zyrtar të Presidencës, theksohej se ky emërim ishte bërë “në përputhje me kompetencat kushtetuese të Presidentes dhe Kryeministrit”.