×
  • Lajme
  • Analiza

    Si po e kundërshton Qeveria e Kosovës Asociacionin serb të komunave? Insajderi sjell detaje

    Insajderi
    14 March 2023 - 10:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nuk kanë mbetur as një javë kohë nga takimi i Nivelit të Lartë në Ohër ku pritshmëritë ndërkombëtare për pajtimin rreth Aneksit të Zbatimit të Plan-Propozimit të BE’së janë tejet të larta.

    Tashmë Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pranuar si të tillë ta zbatojë në Nenin 10, ndërsa në Nenin 7 është pajtuar për të siguruar “një nivel të duhur vetëmenaxhimi për komunitetin serb”.

    Për palën serbe ky Asociacion konstituon “parakushtin e të gjitha parakushteve” për bisedime të mëtejme ndërsa edhe ndërmjetësit/inicuesit e këtij Plan-Propozimi për normalizim të marrëdhënieve e kanë atë në rend të parë të thirrjeve të tyre ndaj autoriteteve të Kosovës.

    Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania dhe Italia kanë lënë të kuptojnë se pa të “marrëveshja nuk do të jetë e mundur”.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje edhe publikisht njoftoi se në tryezë ka 15 modele evropiane nga të cilat po shqyrtohen elemente të favorshme për një Asociacion të tillë.

    Megjithatë, ngul këmbë ai, “zgjidhjet njëetnike nuk do të jenë të mundshme”. Se çfarë do të thotë kjo, mbase është e paqartë.

    Insajderi ka parë një dokument të brendshëm të qeverisë kosovare se si është ndërtuar shpjegimi dhe argumentimi i tyre kundër një Asociacioni të komunave të banuara me shumicë serbe.

    Qeveria e Kosovës beson se në të gjitha dokumentet bazike prej Marrëveshjes së Rambujesë e deri te Plani Ahtisaarit nuk parashihet krijimi i një shkalle të tretë të pushtetit e as nuk parashihen aranzhime një etnike.

    “[…] Marrëveshja e Rambujesë;Plani i Fischer-it; Parimet bazë të G8-së; Rezoluta 1244; Korniza Kushtetuese e Vetqeverisjes së Përkohshme të Kosovës; Standardet para statusit; Raporti i Kai Aides: 10 parimte bazë të Grupit të Kontakti për Kosovën dhe Plani i Ahtisaarit […] Nuk parashohin më shumë se dyshkallëshmëri të pushtetit në Kosovë, në atë qëndror dhe atë lokal (komunat) dhe në të gjitha këto dokumente theksohej zëshëm krijimi i një shoqërie multietnike në Kosovë edhe sa i përket institucioneve të saja”, thuhet në atë dokument.

    Qeveria e Kosovës në leximin e saj të origjinës së kërkesës për një Asociacion të tillë komunash serbe, vëren se më 28 qershor të vitit 2008 serbët e Kosovës shpallën njëanshëm Asamblenë e bashkësisë së komunave me shumicë serbe “e cila kishte si qëllim përfundimtar shkëputjen nga Kosova”.

    Këto kërkesa për Asociacion njëetnik, ekzekutivi i sheh në bazimet “e gabueshme” të tyre në Raportin e Kai Aides dhe Planin e Ahtisaarit.

    Kai Aide në raportin e tij për decentralizimin kërkonte rishqyrtim në një kornizë më të gjerë që do çonte në rritje të kompetencave të nivelit lokal.

    Këtu kërkohet themelimi i komunave të reja ku ne veçanti serbët e Kosovës do të kishin shumicë të theksuar. Në raport kërkoheshin kompetenca të shtuara për këto komuna në sferat si ajo e policisë, drejtësisë, arsimit, kulturës, mediave dhe ekonomisë, duke përfshire edhe emërimin e komandantëve të stacioneve të policies në ato komuna”.

    Këtu konstatimi i Kai Aides bëhej, siç e vëren qeveria, që “komunat ekzistuee dhe ato të reja me shumicë serbe do të mund të lejoheshin të kenë një lidhje horizontale midis tyre”.

    Raporti poashtu kërkonte që të shqyrtohen edhe modalitete për lidhje të posaçme me Beogradin, pa i dhënë Beogradit autoritet mbi komunat e tilla, dhe në këtë mënyrë raporti kujdeset që edhe me këto kompetenca speciale që do të u jepen komunave me shumicë serbe, megjithatë, nuk duhet të rrezikohen institucionet qëndrore në Kosovë apo të dobësohej autoriteti i Qeverisë së Kosovës”.

    Si i tillë, raporti i Kai Aides konstaton se decentralizimi në Kosovë në vendbanimet ku pakica serbe është në shumicë, mund të shkoj deri në atë shkallë, sa të themelohen komuna të reja, dhe të kenë këto komuna edhe lidhje horizontale mes vete dhe të krijohet edhe një kanal i posaçëm i komunikimit të këtyre komunave me Beogradin, por asesi nuk potencon krijimin e ndonjë entitet komunash njëetnike. Sepse në këtë rast lidhja horizontale nuk nënkupton me automatizëm ndonjë asociacion të tipit njëetnik dhe në raport gjithashtu thuhet ‘mund’ të kenë lidhje horizontale dhe jo ‘duhet’ të ketë një lidhje horizontale”.

    Më tej, vëren Qeveria e Kosovës, Plani i Ahtisaarit si bazamenti i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kur i referohet pakicës serbe Raportin e Kai Aides e përdor si model këshilldhënës, si dhe ka përdorur “diskriminimin pozitiv”.

    Por, qysh në Nenin e parë, Plani i Ahtisaarit Kosovën e definon si shoqëri shumëetnike, e në anën tjetër të drejtat e komunitetit të pakicës serbe i çon në një nivel të lartë.

    Në Nenin 9.1, Aneksin III të Planit të Ahtisaarit gjithashtu komunave u lejohet bashkëpunim ndërkomunal por dhe bashkëpunimi me institucionet e vendeve tjera, përfshirë këtu institucionet e Serbisë.

    Për një bashkëpunim të tillë komunat me shumicë serbe në Kosovë, do duhej paraprakisht të marrin leje dhe të njoftojnë Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Republikës së Kosovës rreth qëllimit të bashkëpunimit, përcjell Insajderi.

    Pikërisht këtu, thuhet në dokument, besohet të bazohet interpretimi pro themelimit të një Asociacioni njëetnik të komunave me shumicë serbe. Por, Qeveria e Kosovës, beson se kjo nuk qëndron dhe është e gabuar.

    Neni 9 i kësaj shtojce flet për partneritete mes komunave të Kosovës, por nuk flet për partneritete të komunave me shumicë serbe, nuk flet për një partneritet njëetnik dhe nuk flet për asnjë partneritet që do të mund të rrezikoj funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, thuhet në dokumentin që e ka parë Insajderi.

    Në këtë kontekst, me procesin e decentralizimit dhe pakos së Ahtisaarit, janë krijuar komuna të reja dhe me ato ekzistuese, 10 nga ato me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Partesh, Graçanicë, Ranillug, Kllokot, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Shtërpcë dhe Novobërdë).

    Me këtë është bërë një punë e madhe për të krijuar një ambient ku jetësohet parimi i decentralizimit në formën më të lartë të tij, duke ofruar mundësi që pakicat kombëtare e sidomos ajo serbe të jetoj e lirë, të vendos vet për rrjedhat e jetës së përditshme dhe të kujdeset për identitetin e vet, gjuhën, trashëgiminë kulturore dhe të ketë të drejtën për pjesëmarrje aktive në politikë të siguruar përmes mekanizmave kushtetues në çdo aspekt e sidomos sa i përket të drejtave të pakicave”.

    Kushti i fundit i decentralizimit dhe përmbushjes së Planit të Ahtisaarit, siç vërehet në dokument, ishte themelimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe “askund nuk përmëndet krijimi i ndonjë asociacioni njëetnik të komunave serbe në Kosovë”.

    Andaj, ashtu siç thuhet nga ndërkombëtarët se krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është kusht ndërkombëtar për Kosovën, sipas të gjitha dokumenteve bazë për Kosovën nuk ekziston, e në anën tjetër themelimi i çfardo entiteti njëetnik do të thoshte se bashkësia ndërkombëtare ka dështuar në krijimin e një shoqërie dhe një shteti multietnik në Kosovë”, përfundon dokumenti./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark