Mësimdhënësit e komunës së Vitisë rrezikojnë të mbesin pa paga këtë muaj, si pasojë e kësaj janë duke paralajmëruar protesta e greva. Ministria e komuna e udhëhequr nga Sokol Vitia i LDK’së po vazhdojnë ta fajësojnë njëra tjetrën. Ministria Nagavci shpreh keqardhje për “pësimin” e mësimdhënësve. Kryetari thotë se do ta padisë Ministrinë.
Është data tre tetor, dhe mësimdhënësit në komunën e Vitisë janë të vetmit që nuk i kanë marrë ende pagat. Ministri e Komunë vazhdojnë t’ia lënë fajin njëra tjetrës.
Nga Ministria e Financave para dy dite, dolën me njoftim se kjo komunë nuk e ka siguruar buxhetin e nevojshëm dhe se pagat janë ekzekutuar vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës, duke i lënë jashtë punëtorët e arsimit.
Në njoftimin e Ministrisë tutje thuhet se përkundër që buxheti për paga ndahet asisoj që të mbulojë shpenzimin për tërë vitin, si pasojë e rasteve përmbarimore, MF-ja tha se disa komuna kanë filluar të kenë mungesë buxheti në kategorinë e pagave qysh tani dhe se Thesari i Kosovës ka njoftuar me kohë komunat të cilat janë ballafaquar me këtë problem që të bëjnë korrigjimet dhe përshtatjet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutimin e pagave të muajit shtator.
“Komuna e vetme që nuk e ka bërë këtë rregullim është Vitia, e cila ka lënë programet e arsimit fillor dhe të mesëm pa buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të pagave të shtatorit”, theksohet në njoftim të ministrisë.
Mirëpo, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Vitia, thotë tjetër gjë. Sipas tij nga Ministria i kanë thënë që të bëjnë transferin dhe se komuna nuk ka të drejtë të bëjë transfer të mjeteve pa vendim të Kuvendit.
Ai madje në media kishte thënë se do ta padisin Ministrinë e Financave.
“Presioni i tillë është i gabueshëm dhe joligjor ndaj komunës. Nuk është vendim i drejte, është bankrotim i komunës, nuk kane të drejtë me e ndalë. Qeveria është nënshkruese e kontratës kolektive dhe jo komuna.
“Do të ndërmarrim hapa, do ta padisim Ministrinë e Financave“.
Nga sindikata e Bashkuar e Arsimit, kanë paralajmëruar greva, në rast se nuk iu dalin pagat.
“Nëse kjo nuk ndodh atëherë SBASHK në nivelin qendror vazhdon të mbaj komunikim me kryetarin e nivelit komunal sindikal për Vitinë, Kemajl Bislimi dhe me udhëheqës sindikal në këtë komunë dhe do të mbështes çdo angazhim të tyre dhe do t’u qëndrojë pranë e do të solidarizohet me ta edhe nëse ata fillojmë me veprime sindikale duke mos përjashtuar edhe grevën”, thuhet në reagimin e SBAShK-ut
Madje Jasharaj thotë se punëtorët e sektorit të arsimit në Vitisë nesër do të mbajnë protestë para Qeverisë.
“Dje isha për vizitë në komunën e Vitisë, ku bashkë edhe me shoqatat e tjera sindikale u takuam edhe me kryetarin Sokol Haliti, i cili dukej i shqetësuar lidhur me gjendjen. Pas diskutimeve ramë dakord që t’i japim kohë edhe sot institucioneve përkatëse për zgjidhjen e kësaj çështje. Derisa nesër nga ora 11:00 parashihet që të mbahet një protestë para Qeverisë nga punëtorët e sektorit të arsimit në Vitisë”, tha Jasharaj.
Lidhur me këtë çështje në media ka folur edhe Ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci, e cila ka fajësuar komunën e Vitisë për menaxhim jo të mirë të financave publike.
Nagavci ka shprehur keqardhjen për “pësimin” e mësimdhënësve.
“Me sa jam informuar nga kolegët e mi, ky është një lëshim, gabim nga vetë Komuna e Vitisë dhe unë ndihem shumë keq që për shkak të menaxhimit jo të mirë të komunës… janë mësimdhënësit që po e pësojnë”, ka deklaruar Nagavci.
Gazeta Insajderi ka provuar të marrë ndonjë përgjigje nga kjo komunë, se çfarë pritet të ndodhë me pagat e mësimdhënësve, por të njëjtit deri tani nuk i janë përgjigjur pyetjeve të gazetës./Insajderi.org/