×
  • Lajme
  • Analiza

    Si po zbrazen spitalet e Kosovës, kush do t’i fikë dritat i fundit? – Pleurat Sejdiu rrëfen për Insajderin trendin e ikjes së mjekëve

    Insajderi
    13 August 2022 - 20:06
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kuadri mjekësor po vazhdon të ikë nga Kosova për të kërkuar punë dhe kushte më të mira në vende të ndryshme të botës. Vetëm për tre vjet nga Kosova janë larguar 403 mjekë. Kushtet e punës, politikat shëndetësore dhe moskalimi i Ligjit të pagave, bënë që në sytë e mjekëve Kosova të duket si vend që nuk ofron mundësi.

    Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu në një intervistë për Gazetën Insajderi ka treguar se përveç ikjes së mjekëve nga Kosova, një fenomen i ikjes së mjekëve nga sektori publik në atë privatë po shënon rritje masive.

    Intervista e plotë e Gazetës Insajderi me Pleurat Sejdiun, Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovë:

    Gazeta Insajderi: Ikja e personelit shëndetësorë drejtë vendeve të Bashkimit Evropianë ka filluar të shënojë rritje të madhe kohëve të fundit. A mund të na tregoni sa është numri i mjekëve që janë larguar nga vendi që nga viti 2020?

    Pleurat Sejdiu: Sipas statistikave të OMK-së, që nga janari i vitit 2020 deri në ditën e sotme 403 mjekë janë larguar nga Kosova. Vetëm në vitit 2020 janë larguar 105 mjekë, kurse në 2021 janë larguar 159 dhe që nga janari i 2022 deri me sot janë larguar 139 mjekë.

    Gazeta Insajderi: Për çfarë periudhe kohore një mjekë mund të largohet nga Kosova?

    Pleurat Sejdiu: Vlen të theksohet se pas marrjes së certifikatës të pastërtisë etiko-profesionale, largimi i tyre nuk është i menjëhershëm, mund të marrë kohë deri në 4-5 muaj.

    Gazeta Insajderi: Cilat vende europiane janë destinacionet kryesore që mjekët kosovarë zgjedhin për ushtrimin e profesionit të tyre?

    Pleurat Sejdiu: Shumica dërmuese e këtyre kolegëve largohen për në Gjermani, pastaj vjen Austria dhe së fundi Britania e Madhe.

    Gazeta Insajderi: Cilat janë arsyet kryesore që po shtyjnë personelin mjekësor të largohen nga vendi?

    Pleurat Sejdiu: Gjatë aplikimit për certifikatë kolegët plotësojnë një formular si një mini sondazh për arsyet e largimit. Nga përgjigjet e tyre kuptojmë se arsyet kryesore janë: Kushtet e punës, kualiteti i shkollimit specialistik dhe pagat shumë të ulëta.

    Gazeta Insajderi: Z.Sejdiu na tregoni pak edhe për fenomenin e largimit të personelin mjekësor nga sektori publik në atë privat? Sa është numri i tyre që janë larguar deri tani?

    Pleurat Sejdiu: Ikja e mjekëve nga sektori publik tek sektori privat, po ashtu është një fenomen shumë brengosës sidomos kur kemi të bëjmë me mjekët me përvojë dhe eksperiecë të madhe. Sipas të dhënave që kemi marrë nga drejtorët e klinikave dhe spitaleve rajonale gjatë këtij viti nga sektori publik në atë privat kanë kaluar rreth 50 specialistëve të fushave të ndryshme.

    Gazeta Insajderi: Si po ndikon mungesa e specialistëve në spitalet e Kosovës?

    Plurat Sejdiu: Ikja e mjekëve nga publiku në privat ka bërë që shumë klinika dhe spitale të vuajnë në ofrimin e kujdestarive si dhe dhënjenë e shumë shërbimeve specialistike.

    Gazeta Insajderi: Si do të ndikojnë këto dy fenomene në Shëndetësinë e Kosovës? A pritet të ketë kolaps shëndetësorë?

    Pleurat Sejduu: Fatkeqësisht nëse këto dy fenomene vazhdojnë në këtë ritëm, shërbimet shëndetësore publike në Kosovë do të rrezikohen ndjeshëm me një rrezik të buzëkolapsit në 5 vitet e ardhshëme.

    Gazeta Insajderi: Si po e menaxhon qeveria ikjen e mjekëve?

    Pleurat Sejdiu: Qeveria është ajo që do duhej të eliminoj apo përmirësoj këto tri arsye që po bëjnë mjekët të lëshojnë vendin apo sektorin publik, prandaj edhe bartin përgjegjësin e plotë.

    Gazeta Insajderi: Si janë raportet e juaj me ministrin e Shëndetësisë Rifat Latifin dhe sa po punon ai në këtë drejtim?

    Plurat Sejdiu: Mardhënjet tona me Ministrinë e Shëndetësisë lenë shumë për të dëshiruar, pasi që kritikat, propozimet dhe raportet periodike të cilat OMK i dërgon në mënyrë institucionale injorohen dhe vetëm në baza individuale merren parasyshe. Neve jemi në kontakt me Ministrin Latifi, i cili ka filluar me disa lëvizje konkrete në ngritjen e kapaciteteve, ato kualitative por të shohim se a do përcillet me ligjin e pagave dhe investime të mjaftueshme në përmirsimin e kushteve të punës. Kur flas për përmirsimin e kushteve të punës, dëshiroj të shtoj se këtu kanë përgjegjësi të madhe menagjerët e institucioneve shëndetësore duke filluar nga implementimi i legjislacionit në fuqi deri te raportimet e drejta dhe analitike e gjendjes në institucionet ku ata drejtojnë.

    Gazeta Insajderi: A pritet të ketë grevë në rast se nuk do të ketë përmirësim të situatës në të cilin gjendet shëndetësia kosovare?

    Pleurat Sejdiu: Duke pasur parasysh rastet e mësipërmet fjala grevë për mjekët më nuk ka kuptim dhe mjekët fatkeqësisht kanë zgjedhur heshturazi rrugën e largimit për shkak se kanë humbur besimin në ndryshim.

    Gazeta Insajderi: Si do të pritej kryeministri Kurti nga mjekët në rast të ndonjë trajtimi të nevojshëm?

    Pleurat Sejdiu: Cdo kërkues i shërbimeve shëndetësore cilido ai apo cfarëdo funksioni-statusi social e politik të ketë mjekët ofrojnë shërbimet të cilat mund t’i ofrojnë në këto kushte.

    Se kush do t’i fikë dritat e fundit në këtë dikaster mbetët të shihet!

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark